![]() |
Rudyard KIPLINGU |
DODONA
Shkrime në gjuhën shqipe dhe angleze - Gjuhësi - Letërsi
Articles in Albanian and English - Linguistics - Literature
Friday, February 14, 2025
Rudyard KIPLINGU - N’MUJSH
Tuesday, February 11, 2025
Agim MORINA - FEUDALIZIM I HAPËSIRËS INFORMATIVE SHQIPTARE
Kasëm Trebeshina, që më 1953, shkruante fatin e ardhshëm të shqiptarëve dhe parashikonte se do të ndodhte një shkatërrim të madh i shoqërisë shqiptare, por thoshte ai, shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtrore të shqiptarëve. Ky shkatërrim do ta godasë së pari dhe më së egri, ideologjinë kombëtare në forcim e sipër, do të shpërbëhet ndjenja subjektive e përkatësisë ndaj një kolektiviteti kombëtar, por pahetueshëm, dalngadalë. Dhe ashtu u bë. Populli shqiptar edhe pas pesëdhjetë vitesh mbet në nivelin e "kombit të mundshëm" e jo të kombit të konstituuar, të kombit të cilin e bën historia dhe jo kombit që bën historinë. Trysnia e këtij shkatërrimi shpirtëror e bëri punën e vet. Ajo prodhoi zombët, frankeshtajnët, golemët e vet të cilët na duken krejt njerëz normalë derisa nuk veprojnë, derisa nuk flasin apo derisa nuk shkruajnë. Veçori e tyre është se të gjitha i bëjnë me një inerci sepse janë jashtë kohës, siç thoshte Trebeshina, "pa kuptin në realitetit historik të shekullit të njëzetë." Inercioni në kuptimin e sotëm, në fushën e informimit është prirja për feudalizimin e hapësirës informative shqiptare, feudalizim i opinionit publik dhe i ideologjisë kombëtare shqiptare, si kondicionim i ndarjes së dhunshme të kombit shqiptar në pesë shtete.
Pikërisht ky inercion
hetohet në gazetën "Koha jonë". Merreni më mend, kur gazeta
"Duga", njëra nga revistat më ekstreme e shoviniste serbe, ka filluar
të shkruajë për domosdoshmërinë e ndarjes paqësore me shqiptarët e Republikës
së Kosovës, njohjen e këtij shteti, njohjen e potencialit organizativ e
intelektual të shqiptarëve të kësaj republike, vendosjen e një bashkëpunimi
fqinjësor ekonomik të dobishëm në mes të dy shteteve, ndërsa "Koha
jonë" shkruan komente e artikuj të cilat "Duga", e dalldisur dhe
e verbuar nga shovinizmi serb, i shkruante para dhjetë vjetësh! Por, edhe më i
vajtueshëm është fakti se "Duga" është revistë serbe, që botohet
në Beograd, ndërsa "Koha jonë" gazetë e përditshme që botohet në
Tiranë.
Nuk është problemi pse që
më 1992 njëfarë Frrok Çupi, në një artikull të tij në gazetën "Koha
jonë", të ribotuar në gazetën "Borba" ("Lufta") të
Beogradit, na udhëzonte ne, shqiptarëve të Republikës së Kosovës, që të dalim në
zgjedhjet e Serbisë. Nuk është ndonjë problem i madh pse ndonjë shkrolësi i
lejohet të botojë shkrime antishqiptare. Le të jetë edhe kjo dëshmi e
demokratizimit të mendimit në Shqipërinë Administrative, megjithëse demokraci
antikombëtare nuk ka kurrkund në botë. Megjithatë, derisa një individ për
shkaqe që vetëm ai i di, shkruan atë që shkruan, ende nuk është ndonjë gjendje
për t'u vërejtur, por kur kjo gjë bëhet dukuri dhe kur shndërrohet në strategji
për feudalizimin e hapësirës informative kombëtare shqiptare e me këtë, si
pasojë feudalizimin e opinionit publik shqiptar, atëherë, vërtet, kjo punë
duhet vënë nën llupë. Sepse megjithatë "Quod liced Jovi, non liced
bovi" thonë latinët!
![]() |
Ben BLUSHI |
"KOHA JONË"
DHE BENI ECIN
Komenti i Ben Blushit,
kryeredaktorit të gazetës "Koha jonë", i datës 4 gusht 1996, i botuar
në faqen e parë, që në titull është denigrues e qëllimkeq: "Bomba në
Prishtinë shpërthen në Tiranë". Dhe që në rreshtin e parë, që në fjalën e
parë me dy germa të shkreta është informacion i pasaktë: nuk kanë shpërthyer DY
bomba por KATËR! (Në Prishtinë, në Podujevë, në Kërpimeh dhe në Luzhan).
Natyrisht, krisën "dy bomba", u hap "edhe një herë" (kur u
mbyll?) dosja e Kosovës "ose mënyra e zgjidhjes së fatit të 2 milion
shqiptarëve" por titulli "Jeta private e Fatos Nanos" e zë faqen
e parë skaj më skaj. Pra, për kryeredaktorin e "Kohën sonë", Ben
Blushin, del se më e rëndësishme është jeta private e Fatos Nanos, i cili hëngërka
"vezë të skuqura, pilaf, turli e kos" se sa mënyra e zgjidhjes së
fatit të 2 milion shqiptarëve, apo më thjesht, se, jeta private e një njeriu
vlen më tepër se "zgjidhja e fatit të 2 milion shqiptarëve". Së paku
përmasat e titullit sugjerojnë një mendim të këtillë.
Por, le ta zëmë se zoti B.
B. paskësh vendosur të merret edhe me Kosovën, edhe me mënyrën e zgjidhjes së
fatit të 2 milion shqiptarëve, qoftë edhe pas "vezëve të skuqura, pilafit,
turlisë e kosit". Pas kësaj, zoti kryeredaktor, dëshiron të tregojë
erudicionin e tij dhe na flet për tipologjinë e terrorizmit në Kosovë, i cili
s'na qenkësh terrorizëm i tipit IRA, por na qenkësh "terrorizëm teatral
korzikan"! Dhe në "një analizë të parë" të zotit B.B. bombat na
qenkan vetëm sa për "një tërheqje vëmendje". Dhe ja konkludimi
profesionalist i tipologjistit të terrorizmit "Ata që (e) kanë vënë bombën
dinë edhe të vrasin", por ata në ndërkohë "diçka presin". Pason
pyetja misterioze benblushiançe: "Ç'farë?" d.m.th: "Çfarë farë?"
Ndoshta ndonjë farë me të cilën më lehtë do të mbillen farat e bombave në
kopsht të cilat do të mbijnë me shumicë dhe terroristëve
"korsikano-teatralë", me këtë, do t'ua lehtësojnë punën e
transportit. Sepse B.B. i njeh "parimet e logjikës dhe të praktikës së
bombarduesve në Kosovë".
"KOHA JONË"
DHE BENI ECIN VETË
Pas pyetjes "Çfarë
farë?" vijnë pyetje edhe më të rënda për mosnjohësit e tipologjisë
terroriste: "Pse nuk u bombardua kur Serbia ishte e dobët?"
Natyrisht një farëhedhës do t`i thoshte: "Ngaqë, ju zoti B.B. atëherë ende
nuk e dallonit UFO-n nga Mercedes-Benzi." "Së dyti", vazhdon
B.B. "pse po revoltohen kosovarët apo serbët..." (Dhe po vazhduam
edhe ne me logjikën e tij duhet të themi: kosovarët apo shqiptarët dhe
kosovarët apo turqit, vijmë në dilemën se kush janë këta
"kosovarët"?) Edhe atë po revoltohen në kohën kur diplomacia
ndërkombëtare qenkësh e angazhuar më tepër se kurrë "për t'i dhënë një
zgjidhje autonomie Kosovës", pasiqë të dy palët "i mbajtën fitilat të
lagur katër vjet". Natyrisht, Ben Blushit katër vjet i duken si katërdhjetë,
sepse dinamika e këtyre katër vjetëve të fundit në Shqipërinë Administrative e
paskëshin bindur atë se katër vjetë qenkan shumë kohë! Interesant!
Kryeredaktorit të "Kohës..." më në fund iu paskësh kthyer ndjenja e
kohës.
Dhe së treti, Ben Blushi e
shfaq edhe mjegullën e vet të tretë: "A kanë lidhje bombat në Kosovë me
situatën e turbullt në shtetin amë..." Natyrisht, në mjegull njeriu sheh
vërtet turbull, por së paku mund të mos mendojë turbull: nuk është Shqipëria
Administrative shtet amë për Republikën e Kosovës dhe për territoret tjera të
pushtuara shqiptare. Sepse Shqipëria Administrative mund të jetë shtet amë për
arbëreshët e Italisë, për shqiptarët e Turqisë, për shqiptarët e Evropës
Perëndimore etj. Republika e Kosovës, bashkë me territoret tjera janë gjysma e
Shqipërisë së pushtuar dhe të gjitha këto së bashku përbëjnë Shqipërinë.
Shqipërinë e plotë. Sepse Lasgushi nuk i thoshte kot atij profesorit të
gjeografisë që të shkojë ta mësojë më mirë gjeografinë sepse Drini, megjithatë,
i bie mes për mes Shqipërisë. Të pajtuarit me togfjalëshin "shtet
amë" për Shqipërinë Administrative nënkupton miratimin dhe pajtimin me
pushtimin e këtyre territoreve. Apo imponohet mendimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë se kjo "Amë" i ka pjellë
shqiptarët-kopila kudo rrotull saj, dhe fqinjtë zemërmirë paskëshin pranuar që
këta kopila t'i mbajnë në "territoret e tyre"! Nuk duhet të harrohet
që, megjithëse fuqitë aleate pas LDB e ndanë Gjermaninë në dy pjesë, në
kushtetutën gjermane përherë ka ekzistuar neni për ribashkimin e domosdoshëm.
Dhe, natyrisht, Gjermania Perëndimore kurrë, në asnjë çast, nuk ishte
"shtet amë" për Gjermaninë Lindore. Megjithëse shteti i Izraelit nuk
kishte askund as një metër katror, ndjenja në mendjet dhe në shpirtin e
izraelitëve se shteti izaelit ka ekzistuar dhe se duhet të rikrijohet bëri që
Izraeli të ringjallet si Feniksi nga hiri i kujtesës historike.
Prandaj nuk është kaq
tragjik fakti që katër vjet "fitili" paskësh qëndruar "i
lagur", por më tragjik është fakti nëse, edhe një çast të vetëm,
"laget" dhe "kalbet" mendja dhe shpirti i një shqiptari me
bindjen se Shqipëri është kjo që është mësuar në hartat pesëdhjetëvjeçare
ruso-komuniste, nëse mendon se, po mbeti "fitili i lagur katër vjet"
do të përmbyset dynjaja. Tek e fundit, për ta çliruar një Shqipëri të këtillë
të cunguar u deshën shekuj të tërë, por, natyrisht, popujt nuk veprojnë me
sahatin e benblushëve e të shkrolaxhive të rastit, të stilit "Ç`(farë)
farë".
"KOHA JONË"
DHE BENI ECIN VETË TË TREQINDTIT
Por zoti B.B. s'e lë me
kaq. Ai fillon të japë përgjigjet në pjesën e dytë të shkrimit të tij, sepse
komentin e ka konceptuar në formë të një autointerviste, se
"kosovarët", "për fatin e keq të tyre, pritën si
"Gandi" (emri i Gandit është vënë në thojza dhe tash s'dihet se a
pritën apo nuk pritën "kosovarët" si udhëheqësi indus apo jo) katër
vjet duke e lënë Serbinë që të forcohet aq sa të (t'i) shuajë jo vetëm bombat
por edhe shpresat e tyre." Kur kjo kryemjegull të zhdaravitet nga mendja e
benblushëve, sepse vetëm tek të tillët ka mbetur, derisa as akademikët e
Serbisë nuk mendojnë më kështu, atëherë ata do ta kuptojnë se jo kjo Serbi, por
as pesëdhjetë Serbi të tjera nuk do ta shuajnë kurrë shpresën dhe luftën e
shqiptarëve për çlirim, e pastaj edhe për bashkim të Shqipërisë së ndarë në
mes. Por Ben Blushi është vështirë të shkruajë "komente" sepse për të
shkruar komente nuk mjafton të dish një por së paku dy. Ben Blushi nuk e di, e
ndoshta e di e nuk e përmend, se vetë inspektori i Ministrisë së Punëve të
Brendshme të Serbisë, Dragan Mladenovic-i, e pranon se sulmin që u bë në
veturën e policisë në Gllogovc, ku u vranë disa policë e u plagosën të tjerë, e
organizoi vetë Radomir Stojacic-Badzo, zëvendësministër i policisë së
Serbisë. Pra, punët nuk janë aq misterioze siç i duken zotit
kryeredaktor. Por edhe një margaritar i zotit B.B. del në përgjigjen
në pyetjen e tretë, kësaj here bie edhe maska e tij që e mban gjatë tërë
artikullit, kur ai thotë: "Së treti, ndryshimet radikale në Kosovë mund të
jenë favorizuese për politikën e Tiranës, e cila e gjen këtë si një metodë për
ta zhvendosur fokusin e Perëndimit nga vjedhja e votave në diçka tjetër më të
rrezikshme se kaq. E kjo është një taktikë e vjetër sa vetë shteti."
Natyrisht, le ta ndjekim Ben Blushin e t'i themi se manipulimet e tilla me
tragjeditë kombëtare i ka shrytëzuar përherë propaganda e zezë, dhe çfarëdo që
të ketë ngjarë në planetin e Jupiterit ai është përpjekur ta lidhë me
"vjedhjen e votave". Tek e fundit kryeredaktorit aty i dhemb dhëmbi dhe
aty i shkon lapsi, se sa për Kosovën e pjella tjera të Amës s'e ha meraku fare.
Le ta pranojmë si të
mundshme këtë ide të "zhvendosjes së fokusit", por edhe zoti B.B.
duhet ta dijë, e nëse nuk e di le ta mësojë se, në Kosovë luftë, trazira,
demostrata, vrasje e burgosje ka pasur që nga çasti kur këmba e ushtarit të
parë serb shkeli Kosovën dhe do të ketë deri kur këmba e ushtarit të fundit
serb të ikë nga Kosova. E kjo pjesë e Shqipërisë, këtë e dinë edhe zogjtë, nuk
u pushtua para katër-pesë vjetësh, kur kjo qeveri erdhi në pushtet! Natyrisht
që B.B. e di fort mirë se atë që thotë s'është fare e vërtetë.
Dhe në fund, zotit B.B. të dendur nga mjegullat fillojnë tashmë edhe motivet
t'i shfaqen si persona pasi thotë: "Por pavarësisht se KUSH janë
motivet...", por çdo shqiptar e di se motivet nuk mund të jenë
"KUSH" por mund të jenë "CILAT".
Me 6 gusht 1996, pason
artikulli tjetër, "Tirana rikujtohet për Kosovën", nga I.B.
Mbititulli: "Pas shpërthimit të bombave në Prishtinë e Podujevë" dhe
artikulli fillon: "Dy bomba që shpërthyen..."! Në faqen e njëjtë, nën
këtë artikull është shkrimi tjetër, "i ftohtë" e "neutral"
dhe pa emrin e autorit, si një informatë e dhënë nga ndonjë agjenci informative
e Bangladeshit, në të cilin thuhet: "Burime nga Kosova bëjnë të ditur se
shpërthimet në KATËR qendra policore në Kosovë...". A ka redaktor apo
kryeredaktor kjo gazetë që të vërë njëfarë rendi qoftë edhe në rrenat që
plasohen aty. Nuk shkon me mendjen e shëndoshë që të ketë pasur KATËR
shpërthime e të kenë qenë dy bomba. Sepse atje s'plasën bombat atomike. Por,
gazetari I.B. më shumë i beson kryeredaktorit, (i cili e njeh në gishta
terrorizmin, dhe e di se janë DY e jo KATËR bomba), sesa burimeve në Kosovë të
cilat i boton në po atë faqe! E pastaj kësaj ende i thonë informim profesional?
![]() |
Vladimir PRELA |
KËSHILLA PËR BËRJEN E
ASAJ QË ËSHTË BËRË
Tendencioziteti negativ
hetohet sidomos kur ngrihet shumë pluhur për qëndrime të cilat për një shqiptar
me pak mend në kokë as që mund të merren me mend. Fjala vjen çështja e ndarjes
së Republikës së Kosovës. Në shkrimin e tij "Një variant boshnjak për
Kosovën", të datës 1 gusht 1996, fq.5, Vladimir Prela, i
entuziazmuar nga komenti i njëfarë Aleksa Dragnic-it, thotë se "...ideja e
shkrimtarit të njohur serb, Dobrica Qosiç" që "territori
kosovar" "të ndahej në 39 për qind për Serbinë dhe 61 për qind për shqiptarët".
Mësimi i artikullit: "Nuk është hera e parë që probleme të kontestueshme
zgjidhen me ndarjen e territoreve dhe me shkëmbimin e popullsive. Rastin e
fundit e kemi në Bosnje, por ka patur edhe raste "paqësore" (thojzat
e demantojnë pohimin e V. Prelës dhe atë "por"-in e tij, që do të
thotë se ai kot mbush thesin me fjalë) të kësaj natyre. Sidoqoftë në se (lexo:
nëse) bëjmë një paragon me Bosnjën, PAVARËSISHT SE KOMPOZIMI ETNIK NUK ËSHTË
IDENTIK ME ATË BOSHNJAK, përsëri NJË LLOJ "LEKURE LEOPARDI" EKZISTON
EDHE NË KOSOVË". Këto janë fjalë mehlem për plagë të çdo çetniku i cili ka
mbetur ulok në fushëbetejat e Bosnjës dhe s'mund të vijë të pijë gjak në
Kosovë.
"Akoma më
shumë," vazhdon zoti Prela, "drejtuesit aktualë të rezistencës
shqiptare as nuk e kanë afruar këtë ide. Z. Ibrahim Rugova flet me këmbëngulje
për një Republikë të Kosovës". Një "klasë politike dhe
ekonomike" sipas Prelës mendoka "se është e aftë të jetojë e të
prosperojë në një shtet të dytë shqiptarofolës". Kjo "temë", pra
tema e ndarjes së Kosovës, qenkësh ndeshur "vetëm në shtypin jo partiak
apo studimor të Kosovës" dhe "Dejtuesit e LDK këtë ide e kanë
injoruar apo blasfemuar në (lexo: me) fjalorin tipik të politikës shqiptare që
nuk lë shteg për alternativa."(!)
Manipulimi vazhdon në po
këtë stil:
"Tani formula zyrtare
e Shqipërisë për Kosovën është (...) largimi i trupave serbe nga
KRAHINA..."
Dhe në fund bie maska:
"Ndarja e Kosovës midis serbëve dhe shqiptarëve duket si një ide praktike,
(për kë? A.M.) që do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë konfliktin
serbo-shqiptar."
E para,
zoti Vladimir, ideja për ndarjen e Kosovës nuk është ide e Dobrica
Cosic-it, por shumë më e hershme, qysh prej kohës kur ky farë Cosic-i i thoshte
mutit mjaltë. Ndiqni një kurs intensiv për historinë e Shqipërisë dhe do ta
mësoni më saktë se kur i "kujtohet" akademikëve serbë ndarja e
Kosovës. Sepse duhet të pyeteni edhe ju se ku ishte ky farë Dragnic-i deri
tash, bashkë me këtë farë Cosic-in dhe "-viqat" tjerë?
E dyta, kur ju thoni se
"një lloj "lëkure leopardi" ekzistoka edhe në Kosovë", ju
dëshmoni se ose e keni një tru leopardi ose një tru dhelpre. Sepse 100 mijë
serbë e malazias nuk mund të krijojnë "lëkurë leopardi" ndër dy milion
shqiptarë, qofshin ata të mëdhenj edhe sa Polifemi, kështu që
"paragoni" me Bosnjën është tepër keqdashës ose tejet naiv. Pra, ju,
ose përpiqeni të krijoni mjegull e hutesë në opinionin publik shqiptar ose
s'keni lidhje për ato që shkruani. Një llogari e thjeshtë tregon se, sipas jush,
nëse në 200.000 shqiptarë jetojnë 10.000 serbë (prej të cilëve 5000 janë
policë) kjo është "lëkurë leopardi"! Kur kështu mendon një shqiptar,
i cili është edhe gazetar, dhe plus këtë e shkruan, po merr guximin edhe e
boton, vërtet është për të vënë kujën!
E treta, nuk flet "Z.
Ibrahim Rugova me këmbëngulje për një Republikë të Kosovës" as nuk ka çka
"të afrojë" as "të largojë" ai. Sepse Vladimiri ende jeton
me idenë se çdo kryetar shteti është Enver Hoxhë dhe mund të bëjë si t'i teket
atij. I. Rugova si kryetari i Republikës së Kosovës vetëm ua përcjell qarqeve
ndërkombëtare vullnetin e popullit të Kosovës të shprehur me referendum. E
vullneti i popullit të Kosovës dihet. E atë që një popull e kërkon
me referendum është në gjendje ta mbrojë me çdo mjet e në çdo mënyrë. Republika
e Kosovës është një realitet, deshët apo s'deshët ju zoti Vladimir. Këtë
Republikë e ka pranuar Parlamenti i Shqipërisë. Dhe nëse për ju si individ nuk janë
obligative vendimet e një parlamenti tuaj, nëse për ju nuk është turp të mos e
miratoni vullnetin e një pjese të robëruar të popullit shqiptar, atëherë vërtet
do të na bindni se për ju vlejnë vetëm ato që i miraton parlamenti serb.
Pastaj, Republika e Kosovës nuk është "një shtet i dytë
shqiptarofolës" por një shtet i dytë shqiptar, e nëse mendoni të thoni
shqipfolës atëherë kjo është tjetër gjë: shqiptarët nuk i thonë gjuhës së tyre
e folme shqiptarisht, por e folme shqipe! As këtë s'e ditkeni vallë?! Atëherë
ju duhet doemos edhe një kurs intensiv i gjuhës shqipe.
Zoti Vladimir, mllefoset
që LDK-ja nuk lejoka shteg për alternativa, d.m.th. shteg për ndarjen e
Kosovës, që del se paskësh ndonjë parti tjetër në R. e Kosovës që e
lëka këtë shteg. E me sa dimë ne, nuk ka pasur as nuk ka, as parti, as shoqatë,
as grupacion në Kosovë që e ka llogaritur këtë "shteg" si të
mundshëm. Dhe a e dini pse? Sepse kësaj i thonë shkurt e shqip tradhёti
kombёtare. E tradhёtia kurdoherë dhe kudo në botë ka vetëm një dënim. Zoti
Vladimir, natyrisht, e di mirë këtë, por puna e tij është të përhapë mjegull e
kjo i shkon në vijë sepse nuk mund ta zërë në gojë me emër së paku një subjekt
politik apo jopolitik që ta ketë bërë këtë gjë. Si e mendoni ju, fjala vjen, i
teket Serbisë nesër që ta pushtojë këtë Shqipëri Administrative, dhe ju për t'u
çliruar nga robëria do të bëni hesape si ta ndani me Serbinë? Po, ku ta
dish, Vladimirët edhe mund ta bëjnë këtë punë. Sepse Vladimiri ende i thotë
Kosovës "Krahinë" dhe këtë me mjeshtri ia mvesh pushtetit aktual.
Dhe në
fund, del mësimi i dytë, "se ndarja e Kosovës "duket si një
ide praktike". Përkrah artikullit të Vladimirit është artikulli tjetër me
titullin gjigant e mbështet "idenë" e tij "praktike":
"39% serbëve 61% shqiptarëve!?" nga një autor që fshihet prapa
inicialeve Z. A. Së paku ai ka turp t'i dalë emri por ka nevojë për honorar,
sepse eksperimenti zombist, për fat, nuk e ka kalbur të tërin. Kështu aksioni i
suksesshëm propagandistik kryhet.
![]() |
Frrok ÇUPI |
"Këshilltari" i
dikurshëm i "kosovarëve", Frrok Çupi, (në artikullin e tij "Pse
hesht Tirana pas bombave në Kosovë", të datës 10 gusht 1996, fq.4), pasi
nja 10 ditë ka qarë e ka bërë gjëmë për shkak të kthimit të ambasadorit grek në
atdheun e tij, me sy të fryrë nga lotët e shumtë, i inatosur se edhe në këtë
kthim të ambasadorit duhet të kenë gisht "malësori i Gjakovës Berisha dhe
kosovarët" dy faktet obsesive që po ia kamxhikosin vetëdijen, ka vendosur
të bëjë një shkrolë për "shqiptarë etnikë jashtë kufijve shtetërorë"
(thuase ata kanë dalë të shëtisin dhe dikush ua ka ndaluar kthimin, kështu
kanë mbetur "jashtë kufijve"), ku ditëve të fundit paskan
"ndodhur dy "shpërthime"" e me këtë ta nxjerrë helmin që i
është grumbulluar nga shkuarja e ambasadorit të urtë e të mirë grek, të cilit
ai kurrë s`i bëri dot një pyetje të thjeshtë se pse shqiptarët që shkojnë në
Greqi trajtohen si kafshë, pse shqiptarët e Çamërisë nuk mund të kthehen në
shtëpitë e tyre, pse ata që janë atje nuk u jepet e drejta që të deklarohen
shqiptarë, pse s'hapen shkolla shqipe, etj., etj. Por edhe këtij, ashtu si edhe
pararendësve të tij, pak i ha palla për "shqiptarët jashtë kufijve"
sa i dhemb "vjedhja e votave" dhe shkaku se pse s'flet
"Berisha" dhe pse shkoi "ambasadori" me të cilin Frroku
paskësh "pirë një kafe". Por nëse "Berisha" flet, ai i
mbron "kosovarët" të cilët "e sollën në pushtet" dhe
"ia krijuan qeverinë". Nëse nuk flet edhe më keq, "Berisha"
vetë i ka vendosur bombat ose së paku "ka gisht në të".
Frrok Çupi, në artikull
kërkon që të "ndëshkohet çdo akt terrorist", e harron se terrorizmi
shtetëror serb e bëri kasaphane tërë ish-Jugosllavinë. E megjithëse ai thotë se
aktin e kanë bërë "shtetas të origjinës shqiptare në Kosovë" (Çfarë
të kuptojë njeriu më këtë? Kush janë këta?), dhe se qenkëshin
ngatërruar "tuajët" (d.m.th. "tuajt"), nuk jep kurrfarë
fakti me të cilën e dëshmon këtë pohim të tij.
Por pa argumentuar fare
pohimet e tij, sepse ai s'argumenton kurrë asgjë, ai vendos të bëjë
"analizë", (si kryeredaktori i tij B.B., sepse ata, para se të dinë
diçka, "analizojnë"), pasi "këshilltarët e shumtë të Berishës
nuk po bëjnë të paktën një shpjegim për opinionin". Frroku i shkretë së
pari nuk e di se ç'do të thotë fjala "opinion" ndërsa kërkon që
dikush t'i japë shpjegim "opinionit". Pasi nuk e di, zoti Frrok ju që
dini të jepni këshilla shumë "më të rëndësishme", mbaje në mend se
"opinion" do të thotë "pandehje, hamendje" dhe asgjë
tjetër. Prandaj fjalia "të bëjë të paktën një shpjegim për OPINIONIN"
i përkthyer del "të bëjë një shpjegim për PANDEHJEN". E
nëse keni dashur të thoni për "opinionin publik" kjo është një gjë
krejt tjetër. E ju si gazetar e këshillaxhi profesionist këtë duhet ta thoni
shkoqur, sepse askush s'e di çfarë keni ju në mendjen tuaj të ndritur.
Natyrisht togfjalësha të tillë të papërfunduar shkruhen vetëm në hartimet e
shkollës fillore. Sepse nuk është njësoj si të thuash "pandehje" si
të thuash "pandehje publike" ashtu siç nuk është njësoj të thuash
Frrok dhe Frrok Çupi. Sepse Frroka ka shumë, ndërsa Frrok Çupi që
vajton pas ambasadorëve dhe jep këshilla, është vetëm një.
Ashtu si Partia Socialiste
e Serbisë, ashtu si kryepolici serb Jokanovic-i, edhe Frrok Çupi, faqeza i akuzon
"shtetasit e origjinës shqiptare në Kosovë" për terrorizëm,
megjithëse inspektori serb i policisë serbe e thotë pikërisht të kundërtën!
Dhe në fund mësimi (i
intrigës): takimi i Milosevic-it dhe i Tudman-it në Athinë, pasoi me reagimin e
botës islamike, e cila është "kundër lidhjeve të vjetra kristiane në
Ballkan". Më mirë do të tingëllonte dhe më me vërtetësi po të thuhej "kundër
kasaphaneve të vjetra kristiane në Ballkan". Por ky s'është thelbi. Thelbi
është: "Me këtë vizion prej Tiranës u la spacie qetësie ndaj bombave në
Kosovë, trevë kjo e përfolur për njëfarë fondamentalizmi islamik. Në qoftë se e
vërteta totale e dërgon qeverisjen shqiptare drejt heshtjes ndaj terrorizmit
për shkaqe religjioze, atëherë kjo përbën një fatkeqësi të rrallë për fatet e
Shqipërisë."
Doli në shesh edhe letra
tjetër nën mëngë e importuar nga Beogradi: fundamentalizmi islamik, të cilën
Frroku i paudhëzuar në punë të gjuhës shqipe e shkruan
"fondamentalizëm". Natyrisht, sa herë që u duhet frrokëve dhe
"fqinjëve dashamirë" shqiptarët e R. së Kosovës e më gjerë herë u
bëhen "enveristë", "marksistë-leninistë",
"kosovarë", "terroristë" apo tash së fundit
"fundamentalistë". Në krejt këtë punë me rëndësi është që gospodarëve
të Beogradit dhe kirëve të Athinës t'u qeshet buza ndërsa Frrokëve t'u punojë
imagjinata.
Të gjitha këto, për të
qenë më tragji-komike janë vënë në qarkullim qëmoti nga fabrikat
propagandistike Beograd-Podgoricë-Shkup-Athinë, dhe një shqiptar "i jashtë
kufirit" kur ndeshet me këto habitet, së pari, si ndodh që këto të
shkruhen nga shqiptarët. Pastaj habitet pasi këto janë rrena të vjetruara e
dikur e kupton se ato vërtet janë vjetëruar për lexuesin serb apo grek, malazez
apo bullgar por lexuesi shqiptar i "brenda kufijve" ende s'e ka
mbushur kokën me këso marrëzish. Le t'i japim në rendin e tyre
listën e tezave, vetëm nga fillimi i këtij muaji, me të cilat manipulohet:
- Nuk ekziston Republika e
Kosovës;
- Kosova më së shumti do
ta ketë "autonominë e gjerë";
- Ekziston "lideri i
shqiptarëve" e jo kryetari;
- "Kosovarët"
janë terroristë;
- "Kosovarët"
janë fundamentalistë;
- "Zgjedhja më
praktike" është "ndarja e Kosovës";
- Shqiptarët Republikës së
Kosovës duhet të quhen sa më dendur "kosovarë" dhe sa më
pak shqiptarë;
- "Kosovarët"
janë fajtorë që erdhi në pushtet "regjimi i Berishës";
- Kosova në përbërjen e
saj etnike është "lëkurë leopardi";
- Dialogun e ofrojnë
serbët, e mohojnë "kosovarët";
- Serbia ka 10
milionë banorë (në këtë 10 milionësh janë llogaritur edhe dy milionë
shqiptarët), "Koha jonë", 16 gusht 1996, fq. 12; etj. etj.
Të gjitha këto teza kanë
bredhur dhe bredhin edhe sot por në sasi e me vrull më të pakët nëpër shtypin e
Beogradit, të Athinës, të Podgoricës e të Shkupit, por te "Koha jonë"
tek po lulëzojnë!
P.S.
Nëse zoti kryeredaktor
bashkë me redaksinë e "Kohës sonë" synon të bëjë gazetari
profesionale, duhet të mos shtrembërojë informatat, të mos manipulojë me
opinionin publik, të mos përdhosë interesat themelore kombëtare, të mos e
përdhosë gjuhën, e shumë "të mos"-a të tjerë e tek pastaj mund të
fillojë edhe të ecë vetë, e pse jo, edhe të shkruajë vetë. Por gjithsesi të
shkruajë vetë.
Ashtu qoftë!
Agim MORINA
botuar në "RILINDJA" (Tiranë) më 21-22 gusht 1996
Monday, February 03, 2025
Agim MORINA - A-TEIST?
Saturday, February 01, 2025
Agim MORINA - MANOVRIME KLEROFASHISTE TË SERBISË
Agim MORINA - «VIJA E GJELBËR» QIPRIOTE E ALEKSANDAR VUCICIT SI KUFI SERBO-SHQIPTAR NË KOSOVË
PARASHIKIM SI ARMË
Rudyard KIPLINGU - N’MUJSH
Rudyard KIPLINGU N’mujsh me mbetë i kthjellët kur rreth teje ma T’gjithë shfrenu janë, e n’qafë ty t’kanë mbetë; Vetes m’i besu, kur t’...

-
‘Të thonë shka të duen bota: përkthimi âsht nji nder arte letrare mâ të vshtira, pse s'mbaston vullëndesa me da...
-
Shumica e studiuesve të shqipes pajtohen se klasifikimi i foljeve shqipe në zgjedhime ka qenë dhe ka mbetë një nga problemet më të...
-
'NJERIU YNË NË MOSKË' Miroslav Lajčáku mun me qenë shembulli ma i mirë i asaj thanieje që qengji i mirë - dhe kalkulant - thith dy n...