Saturday, February 21, 2015

HISTORI E SHKURTË E STANDARDIZIMIT TË SHQIPES



Një faqe nga procesverbali i mbledhjeve të Komisisë Letrare Shqipe - 1916



Komisia Letrare Shqipe dhe gjuha standarde shqipe e elbasanishtes


1. Propozimi për krijimin e një gjuhe standarde shqipe 
ësht dhënë në Kongresin e Elbasanit, i cili u mbajt me 2-8 shtator 1909. Por një punë e njëmendtë për standardizimin praktik, zyrtar të gjuhës shqipe ka nisë me 1 shtator 1916 nga Komisia Letrare Shqipe (shkurt: KLSh). Anëtarë të Komisisë kanë qenë: Gjegj Pekmezi (kryetar; një vit më vonë këtë detyrë e mori Luigj Gurakuqi), Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Mati Logoreci, Ambroz Marlaskaj, Hilë Mosi, Luigj Naraçi, Anton Paluca, Ali Korça, Aleksandër Xhuvani, Vinçenc Prendushi, Sali Nivica, Josif Haxhimima, Maximilian Lambertzi dhe Rajko Nachtigalli. Komisia punoi deri me 22 maj 1918, duke bë 63 mbledhje, pra, mesatarisht nga një takim gati çdo 11 ditë. 
Gjergj Pekmezi në mbledhjen e datës 11 dhjetor 1916 shtroi kështu çështjen për përzgjedhjen e bazës së shqipes standarde:
1) me marrë për bazë një dialekt të shqipes,
2) me i lënë dy dialektet m’u zhvillu e m’u fërku derisa të dalë një efekt i dëshiruar i përbashkët dhe
3) të merren parasysh vetëm ndryshimet tipike që gjuha i zhvillon spontanisht e me i shku mbas tue i normativizu.

2. Nga Komisia Letrare Shqipe u vendos që gjuhë standarde shqipe me qenë e folmja e Elbasanit, me propozimin e Luigj Gurakuqit dhe me miratimin e të gjithë anëtarëve. Ashtu qysh e kishte parashiku edhe Sami Frashëri në veprën  tij ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’ësht’ dhe çdo të bëhetë’ kur thoshte se kryeqyteti duhej të ishte diku në mes të Shqipërisë: ‘me qënë që ndenjësit e-ti do të jenë të mbledhur nga gjithë anët’ e Shqipërisë dhe gjuha që të flitet atje do të jet’ e përzjerë, që të muntnjë të quhet’ e përgjithçime e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë’. Pse e folmja e Elbasanit? Sepse kjo e folme ishte në qendër të të gjitha të folmeve të tjera shqipe dhe ishte urë në mes të gegërishtes dhe të toskërishtes. Jo më kot thuhej: ‘Turçja e Stambollit, shqipja e Elbasanit’ ishin të folmet më të lehta për t’u kuptu prej shumicës së banorëve të të dyja kombeve përkatëse.

3. Komisia Letrare Shqipe mori disa vendime themeltare për njësimin e drejtshkrimit të shqipes duke pasë parasysh gjithmonë të dyja dialektet ‘një ortografi sa ma tepër të përbashkët për të dy dialektet’ (mbledhja e datës 13.11.1916):  
a) Grupet e bashkëtingëlloreve do të shkruheshin të plota: mb, nd e ng. Pra, ashtu qysh i kishte toskërishtja, dhe qysh i kishte pasë historikisht gegërishtja;
b) Togjet e zanoreve ue, ye dhe ie do të shkruheshin të plota ashtu qysh i kishte rujtë toskërishtja (përveç ue që në toskërishte ishte ua), e ndonjë nëndialekt i gegërishtes megjithëse në elbasanishte ishin rrudhë në u, y dhe i;
c) Vendosja dhe përdorimi i ë-jave të patheksuara të cilat gegërishtja nuk i kishte më, por i kishte toskërishtja; ë-ja fundore në fjalët punë, vajzë, lugë; ë-ja e patheksuar në trup të fjalës: shëndet, këndue, rrëfye etj.; ë-ja fundore do të përdorej edhe te mbiemrat: i butë, i mirë, i shpejtë etj.
ç) Gjatësia e zanoreve do të shënohej vetëm në vepra gjuhësore. (Gjatësia e zanoreve ishte një veçori kryesisht e gegërishtes);
d) formanti u do të shkruhej i ndarë si ‘u lava’ dhe jo si deri atëherë ‘u-lava’;
dh) shkrimi i përemrave sot ka shumë pak ndryshime prej çfarë kanë janë vendosë në KLSh-ja;
e) emrat do të shkruheshin me bashkëtingëllore të zëshme: zog-zogu (jo zokzogu), etj.  
f) mbaresat rasore do të shkruheshin -, -, -, qysh nuk i kishte elbasanishtja, por kjo bëhej m’iu afru toskërishtes.
(Nëse shikohet përgjithësisht, rregullat që vendos KLSh-ja paraqesin themelet e gjuhës së përbashkët shqipe dhe këto janë vendosë qysh me 1916. E ajo që duhet me u vërejtë me kujdes të veçantë asht që KLSh-ja e ka analizu çdo rregull, me idenë se ç’pasoja mun me pasë edhe në gegërishte, edhe në toskërishte. Këtë po e theksoj sepse kjo nuk ka me ndodhë më me 1967/1972, kur gegërishtja nuk merret asnjëherë si referencë për çfarëdo vendimi.)
U botunë dy versione rregullash ‘Rregullat mbi orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme’ me 29 janar 1917 dhe tjetra me 13 gusht 1917.
Komisia Letrare Shqipe botoi edhe organin e saj ‘Laimet e Komisís Letrare Shqipe në Shkodër’ nr. 1, janar 1918. (Nga viti 1913 – 1920 ‘u botuan 86 gazeta, revista, vjetarë a buletine: në Vlorë 6, në Korçë 6, në Shkodër 16, në Tiranë 2, në Durrës 3, në Gjirokastër 2, në Elbasan 2'.)

4. Me vendimin e Komisisë Letrare Shqipe që elbasanishtja me qenë gjuhë standarde, iu bë thirrje Aleksandër Xhuvanit, i cili ishte vetë elbasanas dhe gjuhëtar, me hartu gramatika mbi këtë të folme. Aj nisi këtë punë qysh me 1919 dhe botoi gramatikën e parë e cila ka me pasë një varg ribotimesh duke u bë gramatika kryesore e mësimit të shqipes në sistemin e arsimit në Shqipërinë Administrative deri me 1945, ndërsa deri me 1968 gramatikat e Shqipërisë Irredentiste do ta kishin si pikënisje punën e Xhuvanit.



Pjesëmarrës të Kongresit të Lushnjes - 1920



Kongresi i Lushnjës miraton gjuhën standarde të elbasanishtes


5. Në Kongresin e Lushnjës, 15-25 gusht 1920, u mor vendimi që ‘gjuha letrare mbas së cilës do të shkruheshin librat shkollorë u muer për themel dialekti i Elbasanit me disa përmirësime.’

6. Qeveria në Tiranë, në qarkoren nr. 148, të datës 13 janar 1923, shkrunte: ‘autorizohen zyrat kompetente që në shkrim të akteve zyrtare gjithmonë të përdoret dialekti i Elbasanit që asht pranue si nji dialekt i përbashkët e zyrtar për Shtetin tonë.’

7. Me 1939 Italia e pushton Shqipërinë dhe me 1941 Gjermania, Italia e Bullgaria e pushtojnë Jugosllavinë. Me këtë akt, në pjesën më të madhe e trojeve shqiptare në Jugosllavi, hiqen kufijtë. Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi i bën thirrje mësuesve që të paraqiten vullnetarisht për me shku në Kosovë e territore të tjera shqiptare për me dhënë mësim. Rreth 300 mësues paraqiten dhe shkojnë të përhapin dritën e diturisë në të gjitha këto troje, në gjuhën standarde me bazë të elbasanishtes. Më vonë numri i mësueve arrin në 600. Për herë të parë shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, në institucione shtetërore, mësojnë gjuhën shqipe. Dhe për herë të parë në histori, të gjithë shqiptarët mësojnë në shkolla, shkrujnë në administratë dhe në institucione publike në një gjuhë të vetme standarde – atë të elbasanishtes. Pra, në Tiranë, në Shkodër, në Vlorë, në Tetovë, në Dibër, në Strugë, në Ulqin, në Korçë mësohej e shkruhej zyrtarisht në një gjuhë të vetme standarde.

8. Kuvendi i Parë i Studimeve Albanologjike, 9-12 prill 1940, pranon që themel i gjuhës zyrtare ishte elbasanishtja. Çfarë shkrunte Namik Ressuli, gjuhëtar toskë, me 1940: ‘gegërishtja përpara syve të tyre [nëpunësve toskë] kishte njëfarë tërheqje, njëfarë ‘prestizhi’, po atë tërheqje që los edhe në ushtarin toskë, i cili kur kthehet në fshatin e tij e ka si punë të madhe t’u flasë bashkëfshatarëve gegërisht’. Pranohej po ashtu që Tirana ishte kryeqytet dhe lunte rol të madh në këtë mes si kryeqendër administrative.



Aleksandër Xhuvani
Dhimitër Shuteriqi



Përmbysja dhe çarja e madhe gjuhësore ndodh me 1945


9. Me 1945 gjithçka ndryshon mbrenda nate. Me hyrjen e çetave të para partizane në qytetet e Shqipërisë, ‘kur ministër  i shtypit, i propagandës dhe i kulturës popullore ishte Sejfulla Malëshova gegërishtja filloi të hiqej nga shtypi. Kur ky kaloi në ministrinë e Arsimit, me 1946, filloi gegërishtja të hiqej edhe nga librat e shkollave, masë kjo që u plotësua më 1951 nga vendimi i Ministris s’Arsimit sipas të cilit në klasat e para të shkollave fillore në Veri mësimi do të bëhej toskërisht. Ky zëvendësim i dialektit të mesëm me një dialekt skajor, me toskërishten, qe një revolucion në kuptimin e vërtetë.’ (Fjala e Osman Myderizit në Sesionin e dytë rreth gjuhës shqipe me 1952).

S’pati as kuvend, as debat, as marrëveshje me 1945, që t
ë bëhej ky ndryshim. E keqja m
ë e madhe: shqiptarët u përçanë gjuhësisht. Në Shqipëri mësohej e shkruhej zyrtarisht toskërishtja, në territoret shqiptare në ish-Jugosllavi mbeti në funkcion gjuha standarde e elbasanishtes. Regjimi enverist i Tiranës nuk u trazu fare për këtë punë. Një vendim atdhetar do të duhej të kishte qenë që, për hir të shqiptarëve që u kthynë prap nën pushtimin sllav, Shqipëria Administrative do të duhej ta kishte mbajtë elbasanishten si gjuhë standarde e ta kishte vazhdu më tej, gjithmonë në marrëveshje me shqiptarët jashtë kufijve. Kjo nuk ndodhi. Regjimit enverist nuk i interesonte kjo punë.

10. Me një trajtim të këtillë të shpërdorimit pushtetar rreth çashtjeve të gjuhës u vazhdu deri me 26-29 janar 1952, kur u organizu një sesion, në të cilën regjimi i atëhershëm përpiqej të zyrtarizonte dhunën e ushtruar mbi gjuhën standarde të mëparshme të elbasanishtes, për të cilën ishte punu me dekada. Titulli i këtij sesioni gjuhësor ishte ‘Veprat e shoku Stalin mbi gjuhësinë dhe problemet tona gjuhësore’. Në këtë sesion, Dhimitër Shuteriqi, një shkrimtar dështak, kritikon gjuhëtarin Eqrem Çabej ’i cili, duke trajtuar historinë e gjuhës shqipe, merret kryesisht e së tepërmi me origjinat dhe huazimet që shqipja mori nga gjuhët tjera, ‘mënyrë  antipatriotike’ kjo që e paraqit gjuhën tonë vetëm nga ana pasive’. Shuteriqi, një shkrolaxhi që nuk kishte mujtë me arrijtë kurrfarë suksesi në fushën letrare, kishte gjetë punëdhënësin dhe tash fliste ajo çka i fryhej në vesh: 'edhe pse thojshin se kemi një gjuhë shqipe, prap gjuhën tonë e vështrojshin më shumë si grumbull dialektesh (...) unë kam menduar se kjo çështje e gjet zgjidhjen nga historia e popullit tonë që nga Rilindja e këndej: toskërishtja, gjatë zhvillimit të popullit tonë në këtë fazë të historisë u bë dialekti ynë kryesor i shkruar e baza e gjuhës sonë letrare.’ Pra, kështu doli lepuri laraman prej kapelës së magjistarit.
A. Xhuvani duke iu përgjegjë Shuteriqit, me një taktikë të kujdesshme për kohën, thotë që edhe Stalini ka thënë se ‘(m)arksizmi nuk pranon eksplozione e të papritura në zhvillimin e gjuhës.’ Çfarë ishte eksplozioni, pos ndërrimi eksploziv dhe i papritur i bazës dialektore të gjuhës standarde me 1945.
Sesionin e përmbylli Stefanaq Pollo (natyrisht sd ky s’kishte asnjë lidhje profesionale me gjuhësinë): ‘Shumica e diskutimeve janë të mëndjes se e folmja mbi të cilën duhet të mbështetemi për formimin e gjuhës letrare nacionale, është toskërishtja e pasuruar me fjalë, shprehje e forma gegërishte’.
Jemi larg nga viti 1972 për njëzet vjetë të plotë. Toskërishtja e cila me 1945 u bë standard i ri, përdhunisht, u zyrtarizu tashma në vitin 1952.

11. Me 11-12 shtator 1952 u mbajt Sesioni i dytë shkencor kushtu ‘problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare’ nga Seksioni i Gjuhës dhe Letërsisë i Institutit të Shkencave. Shuteriqi, palaçoja i pushtetit, në referatin e tij thotë se në vitet  1925-1944 ‘dialekti verior mbizotëroi n’administratë e n’arsim, sepse shteti kish dhënë urdhëra të posaçme që aktet e librat shkollore të shkruhen në këtë dialekt’ mirëpo ‘paslufta e bëri toskërishten gjuhë zyrtare’! Shuteriqi nuk harron me mohu atë që tashma kishte ndodhë se: ‘afirmimi i plotë i dialektit jugor si bazë e gjuhës sonë kombëtare letrare nuk shkaktoi ndonjë ‘revolucion’ e as ndonjë ‘përdhunim gjuhësor’Mirë thonë, budallën mos e dvet, se të kallxon vetë! Po si u bë që mbas vitit 1945 çdo gjë që doli nga Instituti i Shkencave doli në toskërishte? Shuteriqi vazhdon: ‘Ky është një vendim i qartë e me shum rëndësi që ka marrë Instituti. Një vendim të tillë ka marrë edhe Ministria e Arsimit, e cila harton gjith tekstet shkollore (veç antologjive), duke u nisë nga abetarja, në gjuhën që ka për bazë dialektin jugor. E kështu me radhë për administratën, shtypin, radion, etj.’ Shuteriqi bën një pyetje retoriko-sharlatane: ‘A mund të flitet për përdhunim? Jo se nuk u përdhunua asgjë!’ Mvaret nga çfarë këndvështrimi shikohet: për përdhunuesin, s’u dhunu asgjë, për të përdhunuarin, u përdhunu gjithçka.

Viti 1972 asht larg. Edhe nja njëzet vjet larg!

A. Xhuvani, i cili e kishte shkri një jetë të tërë për gjuhën standarde me bazë elbasanishten, ishte figura m
ë tragjike e kohës. Edhe duhej me duru rrena e të paqena, edhe duhej me duru fyerje prej shakllabanësh të tipit të Shuteriqit me lukuninë provincialiste. Xhuvani i përgjigjet se ‘leksiku i gegnishtes asht ma i gjanë’ dhe se gjatë regjimit të Zogut ‘gegnishtja me epërsin’ e saj kishte marrë rrugën për t’u-ba si bazë e gjuhës së përbashkme letrare’ duke theksu që gegërishten ‘nuk asht kollaj me e qasë më nj’anë si gunë të vjetër ose me e çue në muze, sikur e paskan thanë një palë’. E për ‘përdhunimin’, Xhuvani vazhdon: ‘E me të vërtetë asht një eksplozion kur ngutemi në këtë punë e fusim toskënishten në shkolla fillore të viseve Shkumbin e përtej ose ma mirë Mat e përpjetë, që në klasët e para të shkollës fillore. Kjo nuk asht pedagogjike, asht edhe antifiziologjike...
Llazar Silliqi i hedh poshtë një nga një marrëzitë e Shuteriqit: ‘Të themi se toskënishtja ka fjalor ma të pasun, këtë referuesi as s’e pohon as s’e provon, të themi se toskënishtja ka sistem gramatikor ma të përsosun, as këtë referuesi s’e pohon e s’e provon, të themi se numri i atyne që  flasin toskënishten asht ma i madh se i atyne që e flasin gegënishten, as këtë referuesi s’e pohon e s’e provon, të themi se ligjet e mbrendëshme të zhvillimit të gjuhës çojnë në konkluzionin në favor të toskënishtes, referuesi as këtë s’e pohon e s’e provon, sepse ligjët e mbrendëshme të zhvillimit të gjuhës ai veç sa i zen në gojë.
Sterjo Spasse, në këtë sesion, thotë një fakt me rëndësi se në vitin shkollor 1945-46 Ministria e Arsimit kishte bë një ndryshim të parë në gjuhën e teksteve shkollore: Këndimet e klasës IV dhe V që përpara hartoheshin në të folmen e Elbasanit, (nën. A. M.) i bëri në të dy dialektet. Kështu anarkia gjuhësore, sipas tij, u rrit edhe më shumë.

12. Në këtë kohë në Kosovë debatet rreth gjuhës vazhdonin pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimet në Shqipëri, ku kishin marrë tashmë drejtim krejt tjetër falë punës së përkushtuar Partisë së Punës. Çfarëdo përpjekjesh gjuhësore që mund të bëheshin në Kosovë, ato nuk mund të largoheshin nga baza e elbasanishtes. Përpjekjet e këtilla u kurorëzunë në vitin 1964 me botimin e Ortografisë e cila ka me mbetë edhe ortografia e fundit, zyrtare, e gjuhës standarde të bazuar në elbasanishten.
Vetëm katër vjet më vonë, me 1968, gjithçka do të ndërrojë në favor të toskërishtes dhe do të parapërgatitet rruga për Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.  



Androkli Kostallari



Projekti 1967 – kurorëzim i përmbysjes së madhe gjuhësore


13. Me 1967 në Tiranë u botunë ‘Rregullat e drejtshkrimit të shqipes (projekt)’. Në komisionin hartues ishin Androkli Kostallari, Eqrem Çabej e Mahir Domi (asistent Emil Lafe). Duket se emri i E. Çabejt po shpërdorej vazhdimisht, sepse në një projekt të këtillë emri i tij do të duhej të kishte qenë i pari dhe jo i dyti. Por, Kostallari dilte i pari ngaqë ishte edhe bajraktari i partisë në pushtet. Asnjë gjuhëtar jashtë Shqipërisë nuk ishte konsultu paraprakisht. Parathënia nis me fjalinë: 
‘Zhvillimi që ka marrë gjuha shqipe letrare në këta njëzet e sa vjet të ndërtimit të shoqërisë socialiste në Shqipëri...’ 
Pra, flitet vetëm për njëzet vjetët ‘socialistë’ të gjuhës shqipe, edhe atë vetëm ‘në Shqipëri...’! S’ka punë paraprake kodifikimi, s’ka gjuhë standarde të mëparshme. Asgjë s'paska ndodhë me shqipen e rreth shqipes para se me na ardhë periudha socialiste! Dhe – edhe më keq - s’ka zhvillim të shqipes jashtë Shqipërisë!
‘Qëllimi i ‘Rregullave të drejtshkrimit të shqipes’ – thuhet më tej – ‘është që ato të ndihmojnë për njësimin e mëtejshëm të normës letrare kombëtare, duke u mbështetur gjerësisht mbi trajtat e përbashkëta...
A ka gjë të vërtetë në këto pohime? Do të shihet nga rregullat e propozuara ku nuk figuron asnjë fjalë për gegërishten, asnjë rregull që pranohet duke iu referu gegërishtes. Vetëm paragrafi shtatë i parathënies, për shkak të stilit dhe gjykimit, duket se ësht shkru prej Eqrem Çabejt, ku thuhet se drejtshkrimi i shqipes së sotme paraqitet me shumë probleme dhe se ‘zgjedhja e këtij problemi vështirësohet gjithashtu nga mungesa e studimeve të veçanta e sistematike të çështjeve teorike të drejtshkrimit të shqipes’. E thomi këtë sepse Çabej i ka përsëritë disa herë këto pohime, duke shprehë brengën e tij për ngutinë e panevojshme rreth ri-standardizimit të shqipes. Këtë e ka thënë edhe në kumtesën e tij në Kongresin e Drejtshkrimit me 1972.
Në tërë këtë parathënie me asnjë fjalë të vetme nuk përmenden shqiptarët jashtë Shqipërisë Administrative, që për nga numri përbënin gati gjysmën tjetër të shqiptarëve. Le të mos harrojmë që po këtë vit Selman Riza u luftu me stilin e dacibaove (fletërrufeve) kineze ‘T’i çirret maska Selman Rizës!’. Terreni ishte pastru prej kundërshtarëve potencialë. Emri i tij, i njërit prej gjuhëtarëve më të mëdhaj shqiptarë, i Selman Rizës, nuk do të figurojë më askund në punët e standardizimit.
Që të gjitha rregullat e Projektit 1967 kanë të bëjnë vetëm me toskërishten e cila vazhdimisht paraqitet dhe cilësohet si ‘shqipe letrare’ e cila natyrisht ishte mbulesë për atë që ishte  ‘toskërishte letrare’. Me asnjë fjalë nuk përmendet gegërishtja letrare bashkë me gjuhën standarde të elbasanishtes  dhe mundësia e debatit për këtë. Dhe e fundit: hartues janë tre toskë dhe një gegë nga Shqipëria e Mesme, i cili s’mun shfaqte kurrfarë kundërshtie. Asnjë gjuhëtar nga veriu i Shqipërisë, asnjë gjuhëtar nga Shqipëria Irredentiste dhe asnjë nga mërgata!
Le të sqarohemi: vendimet e Komisisë Letrare Shqipe (1916-1918) që morën parasysh toskërishten mbetën pa u ndryshu: togjet e bashkëtingëlloreve mb, nd e ng e -ë-ja fundore (lugë, dritë, palë). Nga togjet e zanoreve ndryshoi vetëm togu zanor -ue- (te foljet e gegërishtes) që ishte standardizu me 1916 dhe u bë -ua- (sipas toskërishtes), ndërsa ‘-ye-‘ dhe ‘-ie-’ mbetën të njëjta sepse kështu i kishte toskërishtja. Si pasojë e këtij ndërrimi u përjashtu paskajorja e mirëfilltë ‘me punue’. 
Projekti 1967, po ashtu, nuk jep asnjë emërvend, emër lumi, institucioni, personi apo titull gazete, të shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë: ‘nga Elbasani, nga Gjirokastra...’ apo ‘prej Himare e prej Mirdite’ ‘u nisën delegatët nga Shkodra’, ‘Kooperativa e bashkuar e Hekal-Klosit’, ‘Gjeneralisimi Stalin’ , emërtimet gjeografike ‘...Buna, Devolli, Drini, (...) Vjosa, Vlora’; ‘Republika Popullore e Kinës’, ‘Ndërmarrja bujqësore shtetërore ‘Gjergj Dimitrov’’, jepen emrat e banorëve të vendit: ‘beratasit, elbasanasit, kolonjarët, korçarët, labinotasit, mirditasit, myzeqarët, partizanët (!), shkodranët, vlonjatët’. ‘Zëri i Popullit’, ‘Sporti popullor’; për festat jepet ‘1 Maji, 7 Nëntori, 29 Nëntori’  por - sado e pabesushme që mund të tingëllojë -  mungon si festë ’28 Nëntori’!
Nuk thonë kot që dreqi shquhet tek imtësitë. Kjo shihet edhe ma qartë në ‘Treguesin e shembujve të përdorur’ në Projektin 1967. Asnjëherë nuk përmendet Kosova, Hora e Arbëreshëve, Katanxaroja, Prishtina, Prizreni, Shkupi, Tetova, Gostivari, Struga, Ulqini, Janina, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Fusha e Kosovës, Rrafshi i Dukagjinit, Lidhja e Prizrenit, Gryka e Rugovës, Gryka e Kaçanikut, ‘Rilindja’, ‘Fjamuri i Arbërit’, ‘Universiteti i Prishtinës’, ‘arbëreshët’. Por janë fjalët ‘jugosllav’ dhe ‘Jugosllavi’. Me asnjë fjalë të vetme nuk jepet shenjë se ky projekt synonte të ishte mbarëshqiptar. Autorët (e ma shumë: autori) mjaftoheshin me pjesën mbrenda kufijve administrativë, si duket, tue mos pasë kurrfarë shprese se kjo do të kalonte atje pa kërkesa për plotësime e ndryshime, e sidomos,  duke pasë parasysh Ortografinë e vitit 1964 të botuar në Prishtinë. Kostallari nuk ka mujtë me paramendu që ata që e shkrunë Ortografinë 1964 kanë me ndërru kursin pa më të voglën vërejtje e pa asnjë kundërshtim.
14. Ndodhi, megjithatë, ajo që Tirana zyrtare e kohës nuk e priste. Me 22 e 23 prill 1968 u mbajt një tubim në Prishtinë rreth Projektit 1967 të Tiranës dhe mbas kësaj u shkrunë ‘Konkluzat e konsultës gjuhësore të Prishtinës’ me 9 (nëntë) pika. Në pikën gjashtë thuhet: ‘Vetë Projekti, në disa pika, ka nevojë të shqyrtohet më me kujdes dhe vërejtje të argumentuara dhe shkencërisht të arsyetuara, mund të jenë vetëm të dobishme.’ Kurrë nuk u dit se çfarë ndodhi me ndonjë ‘shqyrtim’ apo ‘vërejtje të argumentuar’. Në Tiranë, nga këto nëntë pika, u botunë vetëm gjashtë! Censura enveriste goditi prap.
Pse u bë kthesë kaq e madhe e kaq e shpejtë në Prishtinë? Sepse u pa se Tirana zyrtare kishte marrë një drejtim drejt tëhuajsimit gjuhësor të të dy pjesëve të Shqipërisë që nga viti 1945. Nëse do të lejohej që kjo aventurë e çmendur e Tiranës zyrtare të kurorëzohej në këtë mënyrë, shqiptarët në Shqipërinë Irredentiste do të largoheshin edhe më shumë, kombi shqiptar do të përçahej ndoshta në mënyrë të pariparueshme. Në mes të një këmbënguljeje për standardin e mëparshëm dhe tëhuajsimit, ata zgjodhën që të mos ndodhte kjo gjë dhe pranunë, pa asnjë vërejtje, Projektin 1967. Prandej, qysh në këto Konkluza, në pikën tre thuhet Tubimi ‘njeh njëzëri si gjuhë të veten letrare gjuhën letrare të vendit ëmë.’ Dhe në pikën katër i vihet kapaku: ‘...porsa të aprovohet dhe të marrë formën zyrtare në Republikën e Popullore të Shqipërisë, do të zbatohet.’ Pra, kjo punë mori fund. Tash, delegatë të këtillë që kishin pranu gjithçka, ishin të gatshëm dhe mund të ftoheshin në Kongresin e Miratimit Zyrtar.



Pjesëmarrës të Kongresit të Drejtshkrimit - 1972



Përmbysja e vitit 1945 dhe Projekti  1967 miratohen me 1972


15.  Në Kongresin e Drejtshkrimit, i cili u mbajt me 20-25 nëntor 1972, nuk u bë asnjë fjalë për gegërishten apo elbasanishten, gjuhën e mëparshme standarde shqipe. Derisa në Komisinë Letrare Shqipe, flitej për efektet e çdo vendimi për gegërishten e toskërishten, në Kongresin e Drejtshkrimit kurrë nuk u zu në gojë, jo vetëm gegërishtja, por as gjuha standarde e elbasanishtes, e cila përdhunisht qe hedhë menjanë, pa kurrfarë debati paraprak. U paraqitën disa skema grafike boshe rreth kinse konvergjimit të dy dialekteve, por me asnjë provë konkrete. Disa veçori që toskërishtja i kishte marrë qysh më herët nga gegërishtja, paraqiteshin si efekte konvergjimi (Janet Byroni).
Çdo vendim që u mor me 1972 kishte të bënte me toskërishten. Prandej në këtë kongres u bë normalizimi i toskërishtes dhe zyrtarizimi i saj edhe jashtë kufijve të Shqipërisë Administrative, sepse mbrenda saj ajo kishte nisë qysh me 1945. Megjithatë, në punën e një organizimi të një kongresi për toskërishten nuk ka asgjë të keqe deri kur kjo punë pretendohet të paraqitet si akt i ‘njësimit të shqipes’. Identifikimi i toskërishtes me gjithë shqipen ësht pretendim i tepruar. Njësim të shqipes nuk pati, fatkeqësisht. Pati përmbysje, çstandardizim të elbasanishtes dhe vendosje e një dialekti të ri, dialekti të toskërishtes, si bazë e standardit të shqipes. 
Rolin kryesor në Kongres e lujti jo aj që pritej të ishte për nga përgatitja profesionale, le të thomi një Selman Rizë apo një Eqrem Çabej, por një pinjoll i ri i epokës së re staliniste, Androkli Kostallari, një aparatçik i sistemit enverist. Selman Riza, ishte  i internuar në Berat, pa të drejtë fjale publike e botimi. Eqrem Çabej ishte i detyruar m’iu nënshtru njerëzve që profesionalisht ishin shtatë pashë nën të, pas presioneve dhe sulmeve që i ishin bë edhe atij disa vite më parë. Prej pjesëmarrësve të tjerë shumica ishin dhe mbetën persona anonimë edhe sot, pa ndonjë vepër të vërejtshme në gjuhësinë shqipe, mësues katundesh e qytetesh, drejtorë institucionesh, shkrimtarë, kritikë etj., pa kurrfarë peshe e rëndësie në historinë gjuhësisë shqiptare. Për me qenë ironia më e madhe shumica e tyre mbetën pa e mësu kurrë, me shkru drejt e pa gabime , ‘gjuhën e unisuar letrare’ për të cilën kishin votu në Kongresin e Drejtshkrimit.
Në 'Drejtshkrimin' e vitit 1973 provincialistët e bunkerit stalinist bëhen pak më zemërgjërë. Vetëdijesohen se paska shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë dhe se paska gjuhë shqipe jashtë saj. Por edhe kjo duket se ësht bë me një nguti e koprraci. Tash gjejmë fjalën ‘kosovarë’, ‘Bjeshkët e Namuna’ bëhen ‘Bjeshkët e Nemuna’. Dikujt – më në fund - dikujt i kujtohet se ka edhe një festë që quhet ‘28 Nëntori’, vjen dhe një shkollë që quhet ‘Bajram Curri’! ‘Kooperativa ‘Gjergj Dimitrov’ bëhet ‘Ylli i kuq’, jepet ‘poema ‘Prishtina’’, pastaj u kujtohet se paskësh dhe një gazetë që quhet ‘Zëri i Arbëreshëve’, shfaqet ‘Rrafshi i Dukagjinit’. Dhe këtu mbaron zemërgjërësia e vitit 1972 me fjalë që lidhen me pjesët jashtë Shqipërisë Popullore Socialiste në krahasim me Projektin 1967. Bereqat-versën! Provincialistët e Partisë së Punës - që synonin të përhapnin komunizmit nëpër gjithë globin - kishin mujtë mos me i shtu edhe këto!

16. Me rënien e sistemit stalinist në Shqipëri në vitet ’90 të shek. XX, sistemi politik dhe ekonomik u ndërru me rrënjë. Edhe gjuha fitoi lirinë e vet. Ngrirja 20-vjeçare u shkri dhe autorët shqiptarë fillunë me shkru në mënyra të ndryshme, duke shprehë kështu frymën e re në shoqërinë shqiptare. Personalitete të ndryshme shfaqën mospajtimet e tyre me mënyrën se si ishin marrë vendimet për gjuhën shqipe që nga viti 1945. Fjalët e reja nuk gjendeshin në fjalorë. As sot e kësaj dite nuk egziston një autoritet që studion sistematikisht zhvillimet e reja në gjuhën shqipe, prurjen dhe krijimin e fjalëve të reja. Debatet e nxehta nuk pushojnë asnjëherë rreth asaj se kush vendos se çfarë ndodh me shqipen. Nuk egziston një institucion kombëtar që shërben, së paku, si zyrë këshillimi se si duhet të shkruhen fjalë të ndryshme në gjuhën shqipe.
Si një përgjegje ndaj këtyre zhvillimeve të reja me 2006 u formu Këshilli Ndërakademik, i përbërë prej gjuhëtarësh nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe e Kosovës, i cili ka me bë shqyrtimin e disa rregullave të shqipes. Puna e këtij Këshilli, ende pa ia nisë qysh duhet, hasi në kundërshtimin e ashpër prej gjuhëtarëve më të regjur stalinisto-enveristë. Puna e Këshillit Ndërakademik vazhdon, e shoqëruar, doemos, nga bërlykjet e gjuhëtarëve të një epoke të perënduar, të atyre që kur patën pushtetin e shpërdorën dhjetëfish.

17. Me 15-17 dhjetor 2010 u mbajt Konferenca Shkencore në Durrës: ‘Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit’. Morën pjesë 40 studiues dhe konferenca arrijti në 12 Përfundime. Në pikën tetë të këtyre Përfundimeve thuhet: ‘Të studiohet mundësia e integrimit të paskajores gege në standardin e shqipes.

18. Sot, gjendja e shqipes asht kjo që asht. Që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar, me rënien e sistemit të egër enveristo-stalinist, shqipja ka përjetu një zhvillim të hovshëm në kushte të reja. Në shikim të parë kjo duket si anarki, si një dalldi dhe si dalje prej kontrolli. Por kjo ësht ndjenja e lirisë mbas një diktature të tmerrshme e të pashembullt në planetin e Tokës; kjo ësht ndjenja e daljes në dritë e një qenieje të mbyllur në bunker. Ballafaqimi me lirinë ësht gjithmonë dalldisës. Megjithatë, gjithçka që quhet afrim gjuhësor në mes të dy kryedialekteve shqipe ësht meritë e vendimeve të Komisisë Letrare Shqipe. Duhet me thënë që merita e trajtimit të gjuhës në periudhën enveriste ësht që toskërishtja mbrenda shqipes ka fitu një status, pa dyshim, më të rëndësishëm. Nëse do të vazhdohej me standardin e elbasanishtes, toskërishtja kurrë nuk do të mund t’i bënte konkurrencë elbasanishtes dhe do të mbetej si një dialekt i skajshëm dhe i parëndësishëm mbrenda shqipes. Ajo do të zhvillohej mbrenda mundësive të veta, aq sa do të kishte fuqi dhe do të zbehej një ditë. Ndërsa sot një standard i gjuhës shqipe nuk mun me u paramendu pa praninë e veçorive të toskërishtes. Dhe kjo, me gjithë traumatizimin gjysëmshekullor, ndoshta ësht mirë për shqipen, sepse ka kriju dy burime më të balancuara për shqipen.


Me paskajore dhe rotacizëm drejt një gjuhe standarde shqipe për të gjithë shqiptarët


19. Nëse shqiptarët synojnë të krijojnë një gjuhë standarde të përbashkët e jetëgjatë atëherë kjo kërkon që të shkrijnë të dy kryedialektet e shqipes në një. Për me i shkri këto dy kryedialekte në një duhet me u veçu karakteristikat më të rëndësishme të këtyre dy dialekteve. Dhe këto karakteristika janë dy: rotacizmi i toskërishtes dhe paskajorja e gegërishtes. Çfarëdo standardi që krijohet pa e marrë parasysh rotacizmin e toskërishtes, aj standard ësht standard i gegërishtes; dhe çfarëdo standardi që krijohet pa e marrë parasysh paskajoren e gegërishtes ësht standard i toskërishtes. Gjuhë standarde shqipe e përbashkët, si shkrirje e dy kryedialekteve, ësht vetëm gjuha shqipe me rotacizëm dhe me paskajore. Ësht e vërtetë që kjo gjuhë në fillim do të duket më artificiale dhe e largët, por ky ësht çmimi i domosdoshëm i standardit të përbashkët për gegët e për toskët. Ky ësht çmimi i strategjisë përtejgjuhësore që synon kjo ndërmarrje. Ësht pikërisht ajo që Çabej e qun ‘abstraksion’ të domosdoshëm të çdo gjuhe standarde e cila synon me qenë në shërbim të të gjithë shqiptarëve. Ndërsa për gjuhën e letërsisë artistike, mujnë me u zbatu rregulla të veçanta për gegërishten letrare e për toskërishten letrare. Por në këtë proces, parimi më i rëndësishëësht me punu që të gjithë bashkë.
20. Një shije e asaj se qysh do të mund të dukej, përgjithësisht, një gjuhë e shkruar shqipe me paskajore e me rotacizëm ëdhënë pikërisht në këtë shkrim.

Agim MORINA

20 shkurt 2015



Tuesday, March 04, 2014

KALORËSIT






Besa — besë!

Kali u turr në errësirë. Njëherit u duk sikur u përpoq ta tërhiqte gjithë rrugën e pallatit pas vetes dhe me përpjekje u mundua ta shqyente pëlhurën e pluhurosur të territ. Gjymtyrë pluhuri vrapuan pas bishtit të kalit. Pas ca çastesh degët e shelgut të madh thithën gjithë trazimin e derdhur dhe errësira, si lëkurë bualli, u shtrua prapë e qetë. Pallati dehej nga dritat, nga melodia e orientit, nga cakërrima e dollive, e në anën tjetër, si në zgjua bletësh, shkonin e vinin natë e ditë e ditë e natë lajmsjellësit nga të katër anët e botës, nga të trija kontinentet.

Kalorësi ngjitej e zdirgjej kodrave, brigjeve, grykave.

Prapa la detin ku lahej gjysmëhëna. Prapa mbetën xhamitë, hamamet, shatërvanet e kryeqytetit. Prapa mbetën krojet, dushkajat, gardhiqet, fshatrat, lehjet e qenve, urat, bujtinat, kafenetë. Prapa mbeti ajri i trazuar, degët e fjetura, zjarret e largëta, currat e thepisur. Shporet kafshonin pamëshirshëm sqetullat e kalit; era me duar të padukshme kapte kalorësin për pelerinën e zezë që si egërsirë e zënë përpëlitej në ajër. Goja e kalit shkumëzohej shpejt, djersët si milingona të lëngshme pushtonin trupin me plot muskuj, por kalorësi s’ndalej e s’ndalej...

Rrugës s’i gjendej fundi. Nata fshihte me mijëra rrugë e dhiare në gji. Vazhdimisht i dilnin para pyje, fusha, përrocka, shtëpi, gryka, tatëpjeta, kthesa, gropa, livadhe të reja, në këtë natë me gjysmëhënë. Jelet e kalit nga lagështia e djersëve, as që ngriheshin më valë-valë në erë, por ngjiteshin për qafën e djersitur dhe pikonin si gjethet pas shiut të madh. E nata dukej e amshueshme... Nata e bartte botën dhe, ndoshta, e sillte vërdallë kalorësin... Nata e djajve ka qenë dhe do të mbetet e tyre. Djajtë gjithmonë ëndërrojnë të kenë natë, ta kenë gjysmën jo më shumë. Dhe, ja, edhe Zotit ia kanë marrë gjysmën e ditës. Por djajtë janë dreqër dhe prapë do ta kërkojnë gjysmën e gjysmës, dhe prapë gjysmën e asaj gjysme,.. ngase dreqërit mbeten djaj, ata afrohen, kafshojnë, pushtojnë kështu: përmes gjysmave.

Derisa kalit, tashmë me këmbë të mpira, herë-herë i zbehej pamja dhe, ashtu turbullt, nga larg dukej ndonjë dritë si gacë e humbur, si dritë xeheje gjysmë të shkrirë, si yll i futur në gji të malit. Edhe kali sikur e dinte se i afrohej fundi vrapit të tij dhe s ’priste të shporohej. Shumë herë i pati rënë kësaj rruge ku duhej shkuar shpejt, e kurrë ngadalë, pa u ndalur askund dhe natën!

Gjysmëhëna u zhduk prapa shkëmbinjve të thepisur, e kalorësi u ndal para bujtinës aq shpejt sa kali u ngrit qirithi. Aty e priste një kalorës tjetër. Ky që tek arriti ia dorëzoi një trastëz në dorë e tha:

- Besa-besë!

Troku i kalit tjetër, si shigjetë e shkrehur, iu vërsul hapësirës së natës. Bufi nga maja e një lisi vështronte këtë vrap të çmendur të kalorësit që po zhdukej në kthesë. Fusha e gjatë sillte freski me valëvitjen e barit e me zhurmën e insekteve. Vetëm troku i rregullt që dalëngadalë afrohej e pastaj disi shpejt zhdukej në largësi duke e trazuar qetësinë e natës. Në ndonjë përroskë stërkalat e ujit fluturonin nëpër ajrin e freskët si të çmendura, e freskonin barkun e djersitur të kalit nga rënia e rëndë dhe e shpejtë e patkojve. Rruga dilte vazhdimisht përpara dhe provokonte me pambarimsinë e saj, herë e gjerë e herë e ngushtë, herë me gropa e herë e rrafshët, herë mbi kodër, herë në cep të malit, si një gjarpër shumë i madh, i mbytur e i hedhur pakujdesshëm mbi male, fusha e kodra. 

Prapa mbeteshin kisha e herë xhami... Prapa mbeteshin lumenj me ujë të ftohtë, fushat me aromën e një jete të fjetur, pyje të rralla e vende të shkreta. Prapa mbeteshin fshatra, ulurima ujqish, bujtina. Prapa mbetej gjithçka, e përmbi gjendej gjysmëhëna. Shkuma pushtonte gojën e kalit të stërlodhur. Lodhja ia pinte fuqinë dhe prapë para një bujtine frenim i vrullshëm dhe:

- Besa-besë!

Kali tjetër, kalorësi tjetër, trasta e njëjtë, gjysmëhëna e njëjtë - dhe rruga! Prapa mbeteshin pyjet. malet, kodrat kishat dhe prapë kishat, famullitë, malet, prapë malet dhe ndoj livadh o rrafshinë. Nata e kapur për bishtin e kalit rrihej mbi gurë e shkrepa e gjysmëhëna krihej mbi bërraka e këneta me buzëqeshjen e një ujku të rrjepur .

- Besa-besë!

Trastëza fluturon nga dora në dorë... Bujtinat hapin sytë si njeriu i përgjumur, i zgjuar befas. Kur shohin ç'ndodh prapë mbutohen e heshtin...

-Besa-besë!

Jehojnë vetëm këto dy fjalë në takime. Askush s’di kush janë janë dhe prej nga vijnë, e as ku shkojnë. Tashmë rruga shpie vetëm nëpër male. Prapa mbeten bjeshkë, kanione, gremina, shpella... Maja malesh me kurore resh ose qeleshe dëbore... Male, male dhe vetëm male. Det me male si valë. Prapa mbeten vetëm bjeshkë, gryka të thella, pyje të dendura me druj të gjatë e shtigje të ngushta. Ulurimë ujqish...

-Besa-besë!

Si uji i turbullt, cepi i qiellit kthjellohet. Ndonjë këngë gjeli mbetet prapa. Prapa mbeten përshëndetjet me fshatarë, ushtarë, rojtarë... Dhe, ja Kruja!

-Besa...
-Besë!

Hapen dyert e mëdha të kështjellës për kalorësin e natës i cili me vrull futet brenda.

- Imzot, trasta e Stambollit. Urdhëroni!

Agim MORINA



(Botuar në revistën ‘Zëri’, 1993)