Friday, May 15, 2009

NJI SHQIPE E PËRBASHKËT NUK KA KUPTIM PA PASKAJOREN


intervistë me gjuhëtarin Agim MORINA


intervistuar nga Shkëlzen GASHI



Standardi që na ka afru dhe na ka bashku dhe që na afron e na bashkon – gjithmonë me idenë e nji strategjie politike kombëtare që ngërthen kjo në vete – egziston sot e gjithë ditën dhe asht, sipas meje, standardi i bazumë në elbasanishten. 



Pse po e kundërshtoni standardin e gjuhës shqipe të vitit 1972?

Ka mjaft argumente pse standardi i vjetit 1972 asht për t’u kundërshtu, por nji prej argumenteve kryesore asht se ai s’po mun m’i kapërthy, s’po mun m’i përfshi krejt mundësitë dhe ngjyrimet shprehëse që shqipja potencialisht i ka dhe nji pjese të madhe të shqiptarëve po ia kufizon këto mundësi. Masandej, me këtë standard, krejt prodhimi shpirtnor mbi katër shekuj në gegënisht po lihet menjanë. Kjo asht e palejushme m’i ndodhë nji kombi serioz e të pjekun. Nji kufizim i tillë gjuhësor, dihet, asht ba për shumë shkaqe jashtëgjuhësore dhe në mënyrë krejt të papranushme. Standardi i vjetit 1972 asht, në të vërtetë, nji standard i imponumë qysh prej vjetit 1946 pa kurrfarë këshillimi as marrëveshje paraprake. Për me pasë ma të qartë vijimsinë e procesit të standardizimit, duhet ta bajmë nji mbrapavështrim të shkurtë e të domosdoshëm historik.


Në rregull pra. Kur kanë nisur përpjekjet e organizuara në nivel kombëtar për një standard të njësuar mbarëshqiptar?


Puna për standardizimin e shqipes mendoj se ka nisë qysh me 1916-18 kur nji grup intelektualësh dhe ekspertësh gjuhësorë u mblodhën në Shkodër dhe nisën me planifiku nji shqipe të ardhshme standarde për gati 2 vjet tue u mbledhë gjithsej 63 herë nga 1 shatori 1916 deri me 22 maj 1918, që i bjen, mesatarisht, gati çdo 10 ditë. Kjo asht nji ndërmarrje e jashtëzakonshme e cila nuk asht përsëritë kurrë ma në historinë tonë kulturore dhe për të cilën asht folë shumë pak në historinë e standardizimit të shqipes mbas vjetit 1946. Vetë fakti që stenogrami nga mbledhjet nuk asht botu deri me 2004 tregon ma së miri për heshtjen e qëllimshme rreth punës së maparshme për shqipen. Aty pununë bashkë studius gegë, toskë e të huj, e ndër ta: Dr. Gjergj Pekmezi (kryetar), A. Xhuvani, Gj. Fishta, L. Gurakuqi, N. Mjeda, S. Peci, M. Logoreci, H. Ali Korça, M. Lambertz-i e R. Nachtigall-i etj. Çashtjet që u shtrunë në takimet e Komisisë Letrare Shqipe janë ende dilema të cilave nuk u janë dhanë përgjegje përfundimtare as sot. 

Dr. Gj. Pekmezi, në mbledhjen e datës 11 dhjetor 1916, e shtroi kështu çashtjen për bazën e nji Shqipes së Përbashkët (term i M. Camajt): 1) me marrë për bazë nji dialekt të shqipes, 2) m’i lanë dy dialektet letrare m’u zhvillu e ‘m’u fërku’ derisa të dalë nji efekt i dëshirumë i përbashkët dhe 3) m’i marrë parasysh vetëm ndryshimet tipike që gjuha i zhvillon spontanisht e me shku mbas tyne tue i normativizu. Me propozimin e Luigj Gurakuqit për me marrë elbasanishten si urë në mes të dyja kryedialekteve, të gjithë anëtarët u pajtunë dhe kështu, elbasanishtja u ba baza e gjuhës së ardhshme standarde shqipe. Gjithashtu, të gjithë ishin të pajtimit se kësaj baze do të duhej t’i shtohej e t’i hiqej ajo që do të dukej e domosdoshme. U rujtën, fjala vjen, togjet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, ë-të fundore, ë-të paratheksore, mbaresat rasore -së, -në, -të edhepse elbasanishtja i kishte ndryshe, por kjo bahej për m’iu afru toskënishtes. U rujt edhe togu i zanoreve -ue të cilat elbasanishtja i kishte rrudhë në -u të gjatë. Pra, bahej nji orientim i ndërgjegjshëm për nji përafrim dialektesh, nji planifikim gjuhësor unifikus.

Puna e Komisisë Letrare Shqipe u përforcu edhe ma shumë kur me 1923 kryeministri i Shqipnisë autorizoi administratën shtetnore që për bazë të gjuhës zyrtare ta kishin të folmen e Elbasanit. Me 1 dhjetor 1935 u kriju edhe nji komision për çashtje të ortografisë. Masandej, prej 9-12 prill 1940 u mbajt Kuvendi i Parë Albanologjik i Institutit të Studimeve në Tiranë në të cilën Mustafa Kruja vazhdonte me mbështetë të folmen e Elbasanit si bazë për nji shqipe standarde. A. Xhuvani u pat ngarku prej Komisisë Letrare Shqipe, e ma vonë prej Ministrisë së Arsimit, m’u kujdesë për hartimin e librave e gramatikave që kishin me i pasqyru synimet e Komisisë dhe në vjetët ’20 të shek. XX ai punoi pa pushim në këtë drejtim tue botu e ribotu nji varg gramatikash e librash mësimi të shqipes me të cilat mësohej në të gjitha shkollat e Shqipnisë Administrative e gjatë Luftës së Dytë Botnore edhe në nji pjesë të madhe të Shqipnisë Irredentiste. Qysh shihet, nga vjeti 1916 deri me 1946 standardizimi i shqipes u kultivu vazhdimisht tue u kqyrë në elbasanishten. Ky ishte nji synim i ndërgjegjshëm, shumë i drejtë e largpamës për planifikimin e nji standardi të shqipes.


Kur ndryshoi ky kurs dhe pse? 


Në vitin 1946, menjëherë mbas vendosjes së ‘pushtetit popullor’ enverist, u ba përmbysja e madhe. Pa kurrfarë paralajmërimi, pa kurrfarë këshillimi dhe pa kurrfarë konsiderate për punën e gjatë rreth planifikimit të gjuhës deri atëherë, Ministri për Informacion e Propagandë, shoku Sejfulla Malëshova, dha urdhën që të gjitha gazetat, informatat dhe librat zyrtarë të shkruheshin vetëm në toskënisht dhe rrjedhimisht të mos respektohej gjuha zyrtare e maparshme e shtetit shqiptar! Pak ma vonë regjimi enverist nën hijen e po këtij Malëshove, kur ky kaloi në Ministrinë e Arsimit, dha urdhnin tjetër që abetaret e nxanësve të shkruheshin vetëm në toskënisht në gjithë Shqipninë Administrative, pra edhe në veri. Këtë veprim, natyrisht, e kundërshtoi ashpër A. Xhuvani me 1952 (në nji konferencë gjuhësore të mbajtun sa për sy e faqe nga regjimi enverist e, në të cilën, asnji gjuhëtar gegë nuk pat pranu heqjen e elbasanishtes. Atyne iu bashku edhe E. Çabej.). Kështu shihet se dhuna institucionale enveriste nisi sapo shkeli në Tiranë kamba e parë e komisarëve enveristë. Kjo don me thanë se me 1972 nuk u vendos m’u ba ‘gjuha letrare kombëtare e sotme e njësuar etj… shqipe’, por m’u miratu dhunimi i gjuhës së maparshme standarde që nisi m’u trajtu me 1916 dhe m’u ligjësu ajo që u imponu me 1946. 

Pra, nuk jam kundër standardit të ‘72-tës për shkak të vendimeve që janë marrë aty për stabilizimin e toskënishtes, jam kundër miratimit të dhunës ndaj gjuhës së maparshme zyrtare që po standardizohej, ndaj mënyrës së zgjidhjes së problemeve kulturore, në këtë rast gjuhësore; jam kundër mashtrimeve për kinse ‘gjuhën e unisuar’, ‘gjuhën e përbashkët kombëtare’, ‘gjuhën letrare të njësuar shqipe’ dhe ‘shkrirjes së dialekteve’; jam kundër heshtjes mortore apo edhe ma keq, jam kundër miratimit për ndalimin dhe luftimin e elbasanishtes si nji gja normale. Jam kundër idesë se vendimet e këtilla për gjuhën shqipe nuk duhet të rishikohen e të përmirësohen. Aq ma tepër kur ’72-ta don me u shitë si veprim unifikus e harrohet fakti se nga vjeti 1916-1946 në Shqipninë Administrative e nga 1941-1946 edhe shqiptarët në Kosovë shkrunin dhe lexonin në nji gjuhë të përbashkët ndërsa me 1946 regjimi enverist vuni murin gjuhësor tue zbatu nji politikë gjuhësore përçamëse, krejt tjetërfare me atë të jashtë kufijve të Shqipnisë Administrative. Thjesht, përçamjen e parë zyrtare, të planifikume, të qëllimshme, mbrenda shqipes e ka ba pikërisht enverizmi. Këtë po e theksoj sepse në këta 30 vjet na i kanë hangër veshët tue i qujtë kinse përpjekje për ‘bashkim kombëtar’ vendimet e ’72-shës. Përçamja kulturore ndërshqiptare që e ka shkaktu enverizmi me ndërhymjen në punët e gjuhës shqipe mun m’u krahasu vetëm me përçamjen e kobshme politike mbas mohimit të Marrëveshjes së Mukjes nga ana e Enver Hoxhës dhe fillimin e asaj që po quhet sot luftë qytetare për shkak të presionit që iu ba atij prej emisarësh jugosllavë. 



Cilat mendoni ju se janë perspektivat e Shqipes së Përbashkët?


Nga historia e shqipes e dijmë se shqipja asht zhvillu me dy gjuhë letrare: me gegënishten letrare e me toskënishten letrare qysh prej shek. XVI deri në ditët e sotme. Herë ka shkëlqy njena e herë tjetra. Por të dyja e kanë mbajtë të gjallë flakën e shpirtit shqiptar me atë fjalën e urtë shqipe: njena dorë lan tjetrën e të dyja lajnë faqen. Ky asht nji rast i rrallë në botë, ndoshta unik, që dy gjuhë letrare të nji kombi të zhvillohen paralelisht për nji kohë kaq të gjatë dhe me nji harmoni për ta pasë zili deri me 1946. Me 1946 ndodhi veprimi i pashembullt arbitrar dhe polarizoi shoqninë shqiptare pa kurrfarë nevoje. 

Vjetëve të fundit, me demokratizimin e shoqnisë shqiptare, u rihap debati për gjuhën e përbashkët shqipe. Nji varg shkrimtarësh, përkthysish, gazetarësh, poetësh etj. kanë fillu m’i kontestu ma me za vendimet e 1972-shës si në Shkodër ashtu edhe në Tiranë e në Prishtinë. Disa e shohin standardin e ’72-shës të papërshtatshëm, disa të pakodifikumë qysh duhet e sa duhet, të tjerë larg nga gjuha e folun e shumicës së shqiptarëve, e disa si të padrejtë, sepse ka mohu standardin e maparshëm, dikush edhe si kolonializëm të mbrendshëm gjuhësor, si hegjemoni gjuhësore etj. Reagimet ma të ashpra ndaj këtyne vërejtjeve, natyrisht, vijnë prej palës tjetër, kryesisht prej gjuhëtarëve enveristë! 

A nuk të duket që po forcohet ndarja Kosovë-Shqipëri dhe se kjo i konvenon shumë Serbisë nëse krijohen dy gjuhë standarde?


Kryedialektet e shqipes kanë egzistu para ardhjes së sllavëve në Iliri dhe kanë me egzistu deri sa të jetë shqipja. Kjo pyetje asht absurde sa edhe pyetja: ‘Kujt i shkon përshtati ndamja e shqiptarëve në fe të ndryshme?’ Apo: ‘Kujt i shkon përshtati veshja me tirq në veri e me fustanella në jug?’ Egzistenca e dy kryedialekteve të shqipes asht gjendje e natyrshme e shqipes. Nuk e ka ba kurrkush. E kanë ba vetë shqiptarët dhe e kanë zhvillu edhe në të shkrumë për katër shekuj e tëhu. Dhe këtu nuk ka asnji të keqe. Kërkesa për me pasë me çdo kusht nji gjuhë standarde për shkak se kështu e kanë kombet tjera asht sikurse standardi që të gjitha nanat me lindë nga nji fëmijë. Ato nana që lindin bineq, sipas kësaj rregulle, do të duhej me mbytë njenin prej fëmijëve për m’iu përshtatë ‘standardit’ e me qenë kinse normalë. Përkundrazi, standardi i nanës që ka lindë bineq asht standard bineqësh. Masandej, me kqyrë gjeografikisht, ndërmjet Kosovës e Shqipnisë, në të vërtetë, asht nda gegënishtja dhe sipas çdo logjike, gegënishtja kish me bashku e jo me nda Shqipninë e Kosovën. Ndamjen e ka kriju dhe e ka thellu standardi i imponumë me 1946. Vetë përcaktimi kaq mendjelehtë për nji gjuhë standarde larg elbasanishtes, d.m.th. larg asaj që në Shqipninë Irredentiste e kanë ma afër, tregon qartë se pushtetit enverist s’i ka hangër palla se ç’po ndodhte matanë kufinit. 



Por, ju po thoni se ndërmjet Kosovës e Shqipërisë në të vërtetë është ndarë gegërishtja dhe sipas çdo logjike, gegërishtja do ta bashkonte e jo ta ndante Shqipërinë e Kosovën. A nuk do të ishte më e logjikshme të punohej drejt një standardi që na afron dhe na bashkon më tutje? 


Standardi që na ka afru dhe na ka bashku dhe që na afron e na bashkon - gjithmonë me idenë e nji strategjie politike kombëtare që ngërthen kjo në vete - egziston sot e gjithë ditën dhe asht, sipas meje, standardi i bazumë në elbasanishten. Shumë prej trajtave neutrale gjuhësore janë zhvillu pikërisht në elbasanishte. Mbi këtë bazë do të duhej me ndërtu e me shtu gjithçka tjetër nëse egziston seriozisht synimi për nji standard të vetëm. Gjeografikisht asht pozicion qendror. Asht shumë e afërt me të folmen e kryeqytetit të Shqipnisë Administrative, Tiranën, po edhe me atë të Prishtinës, të Shkupit e të Shkodrës. Asht në pikën ku takohen të dyja kryedialektet dhe ajo nuk e ka humbë peshën e saj as sot. Ky asht propozimi ma dashamirës, ma vëllaznor, ma jetëgjatë, gjeografikisht ma kuptimplotë, politikisht ma strategjik dhe gjuhësisht ma se i qëllumë. Këtë e ka propozu Gurakuqi qysh me 1916, kjo asht pranu prej të gjithëve në kohët kur njerëzit kanë mujtë me folë e me vendosë lirisht, asht punu dhe punohet qe 90 vjet në këtë drejtim dhe unë mendoj se ky propozim ende vlen po aq sa edhe atëherë. 




A mund të na e ilustroni më konkretisht idenë tuaj?




Me imponimin e toskënishes për bazë të shqipes zyrtare u desh m’i heqë disa kategori gramatikore të gegënishtes, u desht m’e rrudhë gegënishten, e me këtë vetë shqipen. Ndërsa e kundërta, me elbasanishten si bazë kjo nuk do të ndodhte. Le ta marrim nji shembull: me imponimin e toskënishtes, qysh shihet, u desh m’e heqë paskajoren me punue - sepse konstruktin me punuar shqipja nuk e njeh ose haset shumë rrallë - e, si pasojë, duhet m’e heqë kohën e ardhme të tipit kam me punu, kushtoren e tipit kisha me punu, etj. Asht thanë shkoqun prej Kostallarit se kinse paskajorja qëllimore në toskënisht për të punuar asht zavendësim për paskajoren e gegënishtes me punue. Por kjo nuk asht e vërtetë, bile qesharake me u thanë prej nji gjuhëtari, sepse edhe në gegënisht kemi trajtën e barasvlefshme për të punue. Masandej na kanë thanë se funkcionet e paskajores i kryn për bukuri lidhorja. Edhe kjo nuk vlen për gegët sepse ata e përdorin edhe lidhoren por vetëm me ato funkcione në të cilat ajo përdoret edhe në frengjisht, në gjermanisht, në spanjisht apo në italisht, d.m.th. vetëm për rastet e veçanta e ma të kufizume. Të gjitha këto gjuhë, përveç lidhores, e kanë edhe paskajoren dhe ate e përdorin ma dendun, shumë ma dendun sesa lidhoren. A muni m’i thanë nji italiani, nji spanjolli, nji francezi apo nji gjermani hiqni dorë prej paskajores sepse e keni lidhoren? Do të ishte marrëzi e padëgjume. Por, a asht e mundun kjo që njeni dialekt me qenë ma i gjanë? Po. Kemi rastin e mbiemnave. Në toskënisht nuk egzistojnë mbiemnat e tipit me -ueshëm: i besueshëm. Ata thonë ‘njeri i besuar’ për ate që nji gegë thotë edhe ‘njeri i besumë’ edhe ‘i besushëm’ prandej edhe e ka marrë prej gegënishtes. A mun toskënishtja me funkcionu pa këtë lloj mbiemnash? Mundet, por asht ma e kufizume. Kështu edhe paskajorja, thjesht, mungon dhe nuk asht e kompensushme. Ka mundësi të dyta me e thanë afërsisht ate në toskënisht por nuk ka paskajore të mirëfilltë dhe as mënyrë për ta zavendësu plotësisht ate. Del se baza e gegënishtes asht ma e gjanë dhe ngërthen në vete krejt çfarë ka toskënishtja. Kështu vijmë në nji përfundim: në rregullat gjuhësore për nji Shqipe të Përbashkët asht e domosdoshme me futë ma shumë trajta e kategori sesa ma pak trajta e kategori gramatikore të kryedialekteve të shqipes. Sepse, fjala vjen, ma lehtë asht për toskët mos m’i përdorë disa trajta edhe nëse ato janë mbrenda rregullave, le të thomi ‘të tepërta’ për ta, sesa për gegët m’u detyru me heqë dorë prej trajtash që tashma i përdorin dendun, të domosdoshme për ta. Toskët mujnë me folë shqip tue mos e përdorë kurrë paskajoren edhe në nji Shqipe të Përbashkët sepse e kanë lidhoren dhe kjo s’kish me qenë problem as për ta e as për gegët. E ardhmja, masandej, kish m’ia përcaktu vendin secilës kategori në mënyrë ma të qartë. Por sot duhet me heqë dorë prej imponimesh. Sa ma shpejt që të bahet kjo aq ma mirë.



Pra, problemi kyç për një shqipe vërtet të njësuar qenka paskajorja?


Po, nji Shqipe të Përbashkët, nuk ka kuptim pa paskajoren e mirëfilltë sepse asht nji prej veçorive ma të randësishme të çdo gjuhe që asht e pajisun me paskajore. Mirëpo, po u fut nji paskajore e këtillë atëherë doemos duhet m’u ndërru edhe pjesorja sepse paskajorja ndërtohet me pjesëzën me + pjesore. Unë, qysh muni me e pa edhe këtu, përdor pjesoren e rrudhun të tipit punu për me mujtë me gjetë nji trajtë neutrale përballë të dyja kryedialekteve të cilat e kanë: punue (g.) dhe punuar (t.). Kjo asht nji prej parimeve të mundshme për me gjetë zgjidhje për Shqipen e Përbashkët. Por le t’i shqyrtojmë foljet tue e dijtë se këtu qëndron nji prej problemeve kryesore. 

Zgjedhimi me pjesoren e tipit punu përfshin rreth 57 % të foljeve në gjuhën shqipe prandaj asht shumë me randësi që të gjendet nji zgjidhje sa ma e pranushme për këtë klasë. Nji qasje e ngjashme do të duhej m’u zbatu edhe në vargun e klasave foljore të cilat mbarojnë me temë në zanore shkru, (shkruar (t.) / shkrue (g.), gënjy (gënjye/gënjyer), la (g.) / larë (t.)) (këto përbajnë rreth 6 % nga numri i përgjithshëm i foljeve). Me zgjedhimet e klasave tjera të foljeve, tema e të cilave mbaron me bashkëtingëllore, situata asht ma e lehtë sepse aty do të duhej të merrej për bazë trajta me mbresën -ë. Nji trajtë e këtillë për nji grup foljesh tashma egziston edhe simbas toskënishtes standarde në ato folje që mbarojnë me -ll dhe -rr (mbjellë, marrë). Pra, këtu vetëm do të duhej m’u zgjanu zbatimi i mbaresave të kësaj klase e me ba hapë në vend të hapur (kjo klasë përban 33 % të foljeve në shqip dhe bashkë me klasën e tipit punu përbajnë rreth 90 % të foljeve të mbarë shqipes). Kështu edhe me foljet e klasave mbledhë, shitë, zbritë, mbajtë në vend të hapur, mbledhur, shitur, zbritur, mbajtur që përbajnë rreth 3 % të foljeve të shqipes. Pjesoret e shqipes, në këtë mënyrë, kishin me qenë ma të thjeshta, ma të përbashkëta dhe ma të afërta me shumicën e të folmeve shqipe. 

Asht interesante që Komisija Letrare Shqipe (1916-18) mbasi mori vendim që elbasanishtja me qenë bazë e nji gjuhe standarde shqipe hoqi dorë nga trajta egzistuse e pjesores së elbasanishtes – d.m.th. trajta punu - dhe pranoi trajtën ma letrare punue. Mendoj se ky ka qenë nji gabim shumë i pafat për të ardhmen e shqipes. Nëse do të merrej trajta punu për bazë, sot na nuk kishim m’e pasë problemin ma të madh për të cilin po debatojmë me dhjeta vjet. (Asht i habitshëm fakti që studiusja skoceze M. Hasluck-u, e cila ka jetu rreth tetë vjet në Shqipni e kryesisht në Elbasan, ka shkru nji gramatikë të vogël dhe e ka botu me 1932 tue marrë për bazë trajtën punu të pjesores së këtyne foljeve.) Kjo dukuni e rrudhjes së pjesores asht, natyrisht, zhvillim i mbrendshëm i gegënishtes por ofron mundësi të jashtëzakonshme për përafrimin e kryedialekteve. Sot kjo trajtë dëgjohet edhe nga shumica e gegënishtfolësve në Tiranë, në Shkodër, në Prishtinë, në Shkup, në Tetovë, në Durrës, në Ulqin, në Preshevë etj. Pra, gjithnji sipas meje, nji pjesore neutrale as punuar as punue por punu asht zgjidhja ma e mirë për nji Shqipe të Përbashkët. Nji fakt tjetër asht se toskët që jetojnë në mjedise gegënishtfolëse, fjala vjen në Tiranë, gjithashtu e gjejnë ma të lehtë përdorimin e kësaj trajte kur dojnë me folë ‘tironçe’ e me përdorë paskajoren e tyne qëllimore për të punuar tue e kthy në për të punu sesa trajtën për të punue. Trajta punu nga toskët mun m’u përjetu si rrudhje e trajtës punuar ndërsa për gegët si rrudhje e trajtës punue. Megjithëse në gjuhë nuk asht mirë me ba parashikime ka mundësi që në të ardhmen vetë pjesorja e toskënishtes të rrudhet nga punuar në punua dhe në fund të mbarojë në punu. Ka pasë, natyrisht, mospajtime rreth përjashtimit të paskajores nga nji varg studiusish e letrarësh shqiptarë mbas vjetit 1946, disa ma të ashpra e disa ma të buta, por gjithmonë fort mirë të argumentume. Përveç pjesores kemi edhe dallimet në shumësin e së Krymes së Thjeshtë punuem/punuam, punuet/punuat, punuen/punuan të cilat mujnë me u kthy në punumë, punutë, pununë; masandej do të duhej me përkrahë trajtën unifikuse të Habitores punokam dhe punokësha jo punuekam/punuakam etj. Këto duken si ndryshime të vogla por efektin e kanë shumë të madh drejt atij unifikimi në mënyrë praktike e jo me fjalë boshe.



Nëse çështja është vetëm tek futja e një paskajoreje opsionale, që mund të mos përdoret prej atyre që nuk duan, pse nuk bëhet ky plotësim? A prek paskajorja edhe në pjesë të tjera të strukturës?


Po, natyrisht, këtu edhe qëndron problemi. Kjo rrugë çon në disa telashe të tjera. Si të bahet me emnat e mbiemnat prejpjesorë: blerje (t.)/blemje (g.); i/e punuar/i punuem-e punueme. Prap mendoj se Shqipja e Përbashkët do të duhej m’i lanë vend trajtës blemje/ i punumë / e punume sepse e merr bazën prej trajtës ble/punu deri diku neutrale elbasanase dhe merr mbaresën tashma egzistuse foljore në shqip -më (fjala vjen bëmë, vëmë. Në këtë vijë do të duhej me shku edhe mbiemnat e tipit i punueshëm / e punueshme dhe me u ba i punushëm / e punushme. Kjo trajtë e fundit sot shqiptohet kështu gati nga të gjithë folësit, qoftë gegë qoftë toskë. Nji zgjidhje, për me mujtë m’e kufizu efektin domino, asht që ndërhymja e këtillë tashpërtash të përqendrohej vetëm te foljet. Trajtat me tinguj nazalë në gegënisht dhe jonazalë në toskënisht, sipas meje, do të mund të mbeteshin si dubleta për nji kohë, derisa në të ardhmen praktika kish me përcaktu përparësinë e njenit lloj prej tyne.




Mos do t’u duket shqiptarëve jugorë se do të sakrifikonin shumëçka nga veçantia e dialektit të tyre, sot për sot bërthamë e të vetmit standard mbarëkombëtar, për hir të një standardizimi më gjithëpërfshirës?




Mundësia e dytë, përveç asaj të nji gjuhe standarde, asht zhvillimi i dy gjuhëve standarde. E theksoj edhe nji herë, nuk ka asgja të keqe m’i pasë dy gjuhë standarde shqipe. Kështu asht zhvillu kultura jonë me shekuj dhe prej kësaj nuk duhet m’u turpnu. Përkundrazi. Gjuhëtari britanik, Trudgill-i, kur merret me shqyrtimin e dy gjuhëve standarde të norvegjishtes, thotë se nga pikëpamja linguistike norvegjishtja asht ma normale sesa gjuhët që kanë nji gjuhë standarde. Në rastin e shqipes çashtja asht ndërliku, asht tendosë, në periudhën enveriste dhe jehona e nji bindjes së tillë ende nuk asht zhdukë prej mendjes së shumë njerëzve. Propaganda e mbrapshtë e ka ba punën e vet dhe njerëzit harrojnë se gati pesë shekuj shqipot kanë zhvillu dy gjuhë letrare kurrë pa e ndi këtë si problem. Sa herë që e theksoj çashtjen e dy gjuhëve standarde, gjithmonë e baj tue pasë nji respekt të thellë për vëllaznit tanë toskë. Sepse asht lehtë me folë për nji gjuhë standarde, e me të me mendu si bazë të saj dialektin tand. Mendoj se ma e randësishme asht me punu bashkë në këto projekte, e jo ndamaz, sesa nëse do të bahen nji apo dy standarde. Edhe nëse do të vihej elbasanishtja si Gjuhë e Përbashkët Shqipe gjithsesi jam për atë që toskënishtja standarde të vazhdonte jetën e vet në krijimtari.



 nuk do të ishte ky fillimi i një ndarjeje të plotë e përfundimtare mes gegëve dhe toskëve nëse do të krijoheshin dy standarde? 


Nëse flasim për ndamje zyrtare, atëherë kjo ka ndodhë me 1946. Janë kriju dy standarde: njena asht instalu e asht përkrahë dhe tjetra asht luftu e asht përjashtu. Këtë e ka ba Vëllai i Madh me bandën e tij. Megjithëse, kështu, pyetja e juj, në nji mënyrë, presupozon ndër ne teorinë enveriste: nji popull - nji gjuhë letrare (e cila doemos duhet me qenë toskënishtja) dhe ndryshe nuk ban. Kjo, ngënjyshëm, presupozon se kinse egzistenca e dy kryedialekteve asht formula ma e mirë për ndamje të nji kombi. Ky asht mashtrimi ma i madh që enveristët ia kanë shitë, për gjysëm shekulli, këtij mileti të shkretë për me mujtë me instalu toskënishten si të vetmen gjuhë të mundshme standarde të shqiptarëve. Vetë historia shqiptare e ka demantu këtë teori si të paqëndrushme. Në kulmin e zhvillimit të dy gjuhëve letrare, të gegënishtes e të toskënishtes, u arrijt edhe kulmi i vetëdijes kombëtare shqiptare: u mblodh Lidhja e Prizrenit (1878), Lidhja e Pejës (1899), u organizunë kryengritjet ma të mëdha shqiptare (1905, 1909, 1911), u mbajt Kongresi i Manastirit (1908), u shpall Shqipnia e pavarun (1912), u mbajt Kongresi i Lushnjes (1920), u kriju Mbretnia e Shqipnisë (1928), u organizu lufta kundër fashizmit gjatë LDB-së. Grupet liridashëse në Shqipninë Irredentiste që iu kundërvunë jugosllavëve deri në vjetët ‘60 kanë shkru e kanë folë në gegënisht! Çka duhet me ba ma shumë nji komb për me kallxu se asht nji? Tregoni qoftë edhe nji rast të vetëm, para vjetit 1946, që shqiptarët të kenë pasë keqkuptime, mosmarrëveshje, konflikte për shkak të përkatësisë gjuhësore! Kjo çashtje u ba problematike vetëm prej vjetit 1946 kur njifarë anonimusi, Malëshova, mendonte se kur e merr pushtetin mujsh me ba çfarë të të teket ty. Natyrisht, ai e kishte përkrahjen e pakursyme të pushtetit të asaj kohe. Pra, vetëm enveristët e kanë kalu atë vijën e kuqe që e ka prishë balancin dhe harmoninë mbrendashqiptare. Ata e kanë ndalu gegënishten letrare që zhvillohej kryesisht në Shkodër dhe gjuhën standarde egzistuse që po zhvillohej i mbështetun mbi elbasanishten. Në të vërtetë sot kanë ndryshu rrethanat aq shumë sa ngulja kambë në drejtësinë e shpërdorimeve të vjetit 1946 e të vendimeve të Kongresit 1972 asht ba nji prej faktorëve kryesorë përçamës.




Gjithkund në botë standardizimi i gjuhës i është nënshtruar disa kushtëzimeve të oborreve mbretërore! Në analogji me këtë, sistemi i Enver Hoxhës nuk përbën ndonjë përjashtim! Pajtoheni?




Le ta tundim pak thanien ‘gjithkund në botë’ me disa shembuj: anglishtja standarde asht kriju nga shkollat publike dhe nga shtresa tregtare në Juglindjen e Anglisë; Hochdeutch-i asht kriju artificialisht vetëm si i shkrumë; në Turqi asht marrë e folmja e Stambollit; në Suedi, Brazil, Argjentinë, Japoni, Rusi e Kinë etj. asht marrë gjuha e kryeqyteteve; në Itali asht marrë gjuha e Firencës si gjuhë e Dante-s. Gjuhët e mëdha europiane që janë ba instrument prej oborresh mbretnore janë frengjishtja dhe spanjishtja. Si gjedhe e gjuhëtarëve shqiptarë shpesh merret frengjishtja, gjedhja ma e keqe e mundshme për shqipen. Gjuha standarde frenge asht kriju për qëllime asimilimi të popujve jofrengjishtfolës në kohën e lëvizjeve nacionaliste në Francë në shek. XVII. Rrethanat shqiptare s’kanë asnji lidhje me këtë punë dhe realisht na do të duhej me ndejtë sa ma larg kësaj gjedhes. Na duhet m’iu afru gjedheve që janë ma të ngjashëm me ne, fjala vjen gjedhes norvegjeze. Por edhe mos me pasë gjedhe na duhet me qenë të zotë me sjellë, me zhvillu e me ndërtu gjedhe sipas asaj që ne na shkon përshtati ma së miri. Kjo rrugë e mbarë ka nisë qysh me 1916.




Sipas jush një gjuhë standarde nuk d.m.th. doemos edhe afrim e bashkim më i madh? 




Jo, kurrsesi. Nji gjuhë standarde nuk presupozon doemos edhe nji komb. Amerikanët, anglezët dhe australianët etj. kanë nji gjuhë standarde, anglishten, por janë tri kombe e jo nji. Kombet arabishtfolëse kanë nji standard të arabishtes por nji mori kombesh janë të përfshime në të. Shihni, fjala vjen, rastin e serbokroatishtes. A mujti m’i mbajtë bashkë gjuha e unifikume? Jo. U banë katër kombe: serbë, kroatë, boshnjakë e malazezë megjithëse, në thelb, e flasin nji gjuhë me dallime ma të pakta sesa ato në mes të gegënishtes e toskënishtes. 

Dhe e kundërta: egzistimi i dy gjuhëve standarde në Norvegji nuk ka kriju dy kombe norvegjeze. Edhe te ne, gegët dhe toskët asnjiherë në histori nuk kanë mendu për veten se janë dy kombe por gjithnji nji komb. Derisa të jetë kështu, ka me pasë vetëm nji komb shqiptar. Gogoli i kinse ‘përçarjes kombëtare’ asht kriju prej shfrenisë enveriste për me mujtë me imponu ‘vullnetin e çelniktë të Partisë’ tue farku Gjuhën e Re Orwelliane. Ashtu si gogoli i rrethimit nga ‘kërcënimi imperialist dhe revizionist’ që bani m’u ndërtu 300.000 bunkerë të cilët sot shërbejnë vetëm për me urinu maçorrat në ta. Përpjekja e enverizmit m’i zhdukë fetë, e me vu nji ‘fe’ enveriste, nuk dha kurrfarë frytesh pos çorientimit dhe hutesës së njerëzve të cilët nga nji ujvarë parullash të kota u gjendën në njimendësinë e pamëshirshme dhe krejt të kundërt, në njimendësinë ku edhe bari nuk po u ngranka dhe edhe socializmi enverist po u lanka. 




Si funksionon konkretisht modeli norvegjez i dy standardeve? Në cilin standard jepen, fjala vjen, lajmet qendrore në televizionin kombëtar? Po tekstet shkollore në çfarë standardi hartohen? Gazetat?


Gjedhja norvegjeze e dy gjuhëve letrare ka ardhë kohësisht shumë ma vonë prej gjedhes shqiptare të dy gjuhëve letrare, nja tre shekuj ma vonë. Në të vërtetë, mujmë me thanë se norvegjezët e kanë funkcionalizu gjedhen shqiptare por për së mbari, pa shfreni, pa dhunë, pa nënçmim e me respekt. Standardi i dytë norvegjez asht kriju me nismën e vetëm nji njeriu, nji gjuhëtari autodidakt, i qujtun Ivar Aasen-i, që nisi punën e krijimit të standardit kah mesi i shek. XIX. Me 1885 kjo gjuhë asht pranu në parlament si standard i dytë. Me vendimet e parlamentit çdo individ që don me mësu në cilëndo gjuhë standarde e ka këtë të drejtë të garantume dhe shteti duhet m’ia siguru këtë. Të gjitha lajmet, gazetat, në shkolla e institucione shkruhen, botohen e mësohen në të dyja gjuhët standarde. Asnjena prej tyne nuk konsiderohet ma pak e vlefshme. Krahasoni tash si çmohet e trajtohet seriozisht puna e nji individi nga parlamenti norvegjez dhe puna e pesë shekujve të shumicës së popullit shqiptar nga parlamenti në Tiranë e Prishtinë! Nuk besoj se kjo don koment. Kjo tregon vetëm ngadhnjimin e primitivizmit, provincializmit, injorancës dhe të ligësisë ndër ne. Kjo tregon se sa të talentumë jemi me marrë gjedhe të mbrapshta, shtretën prokrustianë për m’i pre edhe kambët veç mos me ndërru, fjala vjen, ‘gjedhen franceze’ të shtratit gjuhësor dhe nuk dijmë as m’u kujdesë, as m’e çmu ate që asht e jona. Unë nuk muj me paramendu se çka kish me ndodhë me nji individ shqiptar që kish me provu me shpikë edhe nji standard në kushtet tona kur katër shekuj prodhim kulturor jemi në gjendje me i hedhë në kosh të plehut pa mendu as dy herë. 

Për hir të së vërtetës duhet me thanë se ka pasë përpjekje edhe nga ana e shtetit norvegjez m’i bashku, m’i shkri këto dy gjuhë standarde - natyrisht, pa dhunë e imponime të stilit enverist - por kjo s’ka ndodhë për gati 60 vjet, sa janë ba përpjekje dhe në fund shteti ka heqë dorë prej bashkimit të dy gjuhëve standarde me 2002 dhe i ka lanë m’u zhvillu të dyja. Kjo tregon se me provu ndoshta edhe ia vlen por jo me imponu. Jemi dëshmitarë se shumë krime të tmerrshme janë ba në emën të lirisë, shumë marrëzi janë ba në emën të urtësisë, shumë përçamje janë ba në emën të bashkimit. Ky asht thelbi i çashtjes: nuk duhet me leju që dhuna m’u ba mënyrë e sjelljes në jetën tonë kombëtare ndërsa mashtrimi m’u ba metodë e zgjidhjes së problemeve. 

Edhe si dy gjuhë standarde, norvegjishtja ka pasë rreth 4-5 reforma të mëdha gjuhësore të zbatume në të dyja gjuhët standarde gjatë shekullit të kalumë. Pra, kujdesi dhe puna për gjuhën duhet me qenë e përhershme, e vazhdushme. Korporata Transmetuse Norvegjeze jep lajme në të dyja gjuhët standarde dhe të gjitha institucionet shtetnore janë të obligume m’i trajtu njisoj. Tekstet shkollore, poashtu, botohen në të dyja gjuhët në tekste të veçanta ndërsa tash ka nisë edhe botimi në nji tekst të vetëm i të dyja gjuhëve standarde. Në vendet me popullsi heterogjene vendosin komunat dhe shkollat se cili standard ka m’u përdorë. Kur nji banor i nji standardi gjuhësor shkon me jetu në pjesën ku flitet standardi tjetër ai mëson në atë standard.



Koha Ditore, 19 gusht 2007

Wednesday, April 13, 2005

UNË SI KALORËS - poezi



1.
Herё unё kalurova,
Herё kali kaluroi mbi mue,
Nё rrugё pёr nё Madrid,
Pёr nё Madrid, pёr nё Madrid,
Deri nё Madrid.

Nё nj
ё kiosk, oh nё nji kiosk
Shitnin hamburgerё,
Shitnin hamburgerё,
Dhe e bleva nj
ё,
Dhe njё e bleva,
Aty ndёrmjet dy riskash,
Pashё Lorkёn e mjerё,
Tё mjerё Lorkёn e pashё,
Qeshej, buzёqeshej i therun nё bajoneta.

Nё hamburger Lorkёn e pashё:
I thashё tungjatjeta!
E mbllaqita fort buzёqeshjen e tij,
Tё tjerat kalit ia dhashё.
Lorkёn e pashё.
I mbёrthyem jo nё kryq, por nё bajoneta.
Dhunohej kudo çdo varg i tij,
(Nga çdo poetuc-salepxhi,
E Ali-Kasap-McDonalld-qoftexhi!)
Nё Madritё ishte terr – s’kishte dritё!

2.
Kali im Ati im paskёsh qenё Piktor,
S’kishte andrru me u ba toreador,
As me u martu me tё Marten,
As me u ethё me t’Enjten,
As me premtu tё Premten,
As me shty tё Shtunen,
As kurrё jo Mё(r)kurrё:
Hanёn nё Diell me e pjekё
Si kulaç nё furrё!

3.
Dёshironte, andrronte, me e pikasё Picasson,
On son, on son, pika, pika, Picasson...
Gjethen e paskёsh zanё njё gjumё,
Dhe kalehtas paskёsh ra nё lumё,
E lumi, ka dashё fati, me qenё e Picassos imagjinatё,
Qё nё njё pёlhurё tё bardhё me ngre shtat.
Im atё, Ati im, Kali im,
Dёgju kishte, o Zot pa djallёzi,
O Djall pa zotёsi,
Se Pikaloshi Pikaman Pikarrosh Picasso,
Qё tё sos me pika, pika e pika si tё Picassos,
Pikturu kishte – kishte pikturu,
Portrete kuajsh – shumё porterete kuajsh,
Dhe dofarё bythё buajsh.

3.
Por, o Zot Pordhaç!
Kur kali im e pa autopor(dh)tretin e vet
Nё Guernikё,
U shkund e u mund e s’mujti me ikё,
E pa autoportretin e klithmёs sё vet...
Im Atё. Ati im.
Kali im.
E pa.
U shkri.
Si loti u ba.
U derdh.
Pikoi si dhembja nё dhembje.
U pёrqafu me tym. Tym u bâ.
U zhduk. Zhdukje u ba.
Kali i Guernikёs mbet mё dёshmu.
Se unё kam pasё Atё.
Se Ati im apo im Atё ka pasё klithje
Dhe asht ba klithje
Prej gverrash
E prej Gverrnikash.

Pikonte pika qё tё sos e Picassos
Pikaste pikёllimin,
Pikonte dhembje,
Pikё, pikё, pikё,
Qё tё sos, tё sos, tё sos
Pika e Picassos.

Pika Picasso dhe pika Gverrnika
Pikasa vetёm gverra. Vetёm Gverrnika.

Agim MORINA

I AS A KNIGHT - poem


I AS A KNIGHT - poem


1.
Once I rode
Once the horse rode me
All the way to Madrid
To Madrid, to Madrid
Up to Morelight.

In a kiosk, oh, in a kiosk
They were selling hamburgers
They were selling hamburgers
And I bought one,
And one I bought,
There between two slices I saw poor Lorca,
Sad Lorca I saw,
Laughing, smiling, butchered with bayonets.

In the hamburger I saw Lorca:
I said: I wish you have long life!
I chewed noisily his smile,
What remained I gave it to my horse
I saw Lorca
Nailed not to the cross but to the bayonets
Every verse of him was being raped
(From every poetaster-salepseller
And Ali-Butcher-Mc-Donald-kebab maker!)
In the Morelight was dark – there were no lights.

2.
My horse, my father had been an Artist
He hasn’t dreamed of becoming a toreador
And not to marry Tuesday,
And not to make love with Thursday,
And not to promise at Friday,
And not to push at Saturday,
And for sure not, never ever at Wednesday
to bake the Moon in the Sun as the cake in the oven!

3.
He was wishing, dreaming to spot Picasso
On son, on son, I spotted, I spotted, Picasso
The leaf fell asleep
And gently fell to the river
And the river, happened to be the fantasy of Picasso
Grown up in a white canvas.
My horse, my father,
Had heard, O God with no evil,
O Devil with no good will,
That the freckled speckled Picasso
Which depletes you from the spots and dots, like Picasso’s spots
Had pictured – pictured had,
The horse’s portraits – many horse’s portraits in canvases
And some buffalo’s assess.

3.
But o my Farter God
When my horse saw his autoportrait
In Guernica
He was shaken and defeated and he could not run away
He saw the autoportrait of his own scream...
My father. Father my.
My horse.
He saw.
He melted.
He became a tear.
He dropped.
He dropped like the pain into the pain.
He embraced the smoke. He became a smoke.
He disappeared. He became the disappearance.
The horse of Guernica remained to witness
That I have had a father
That my father – father my - have had a scream
And he had turned into the scream
From guerras
And from Guernicas

It was dropping the drop of Picasso, that wracks
It was spotting the sadness
It was dotting the pain
The dot, the spot that ruins
The Picasso’s dot, the spot of Guernica
I spotted only the guerras, only Guernicas.

Sunday, April 10, 2005

INTELEKTSHTAJNI APO PROFETI I RREMË MODERN




1. Intelektshtajni nuk asht, qysh mun duket nё shikim tё parё, prodhim i ri. Poende, asht ma i vjetër edhe se vetë frankeshtajni. Intelektshtajni, qysh mun m’u marrë me mend, nё një mёnyrё, asht e kundërta e intelektualit. Nëse frankeshtajni qe gatu prej copash të dhjeta kufomash tue e marrë herë dorën e dikujt, herë kambën e tjetrit, intelektshtajni asht gatu prej dhjeta kufomash mendore kështu që asnjë fjalë që e nxjerr prej goje s’asht mendu në kryet e tij ose, edhe nëse asht mendu në trurin e tij, aj mendim asht stramastik i shumë copave trunore xhenazesh. Intelektshtajni ma së miri mun m’u përfshi në atё shprehjen popullore se asht Vet-i-treqindti, sepse gёzon privilegjin qё nёn rrashtё tё palojё treqind pjesё truni treqind vetash. Dhe mun m’u marrë me mend se çka mun me ndodhё me një gjykim që asht rezultat i mendimit të treqind vetave tashma tё ndjemё. Dhe ashtu qysh gjestikulacionet e frankeshtajnit janë të pabaraspeshume e tё pabashkёrendume, tue qenë arnesë mishi, ashtu edhe mendimet, gjykimet e intelektshtajnit janë të çoroditura, palidhje, tue qenë arnesë gjykimesh. Intelektshtajni i arnon vargjet e bisedave të eprorëve të tij të cilët i ka ndëgju tue pi kafe ose shurup drandofilash nё ndonjё restorant tё shtrejtё apo nё ndonjё takim nё ndonjё bodrum ambasade dhe i trajton ato si tё tijat. Ka pa dikend me kapuç majuc, apo me vath, apo me mjekёrr tё parruar dhe nesёr e sheh intelektshtajnin tue pozu me to.
2. Derisa frankeshtajni asht kriju për me i ba sfidë vdekjes, asht përpjekje e një shkencëtari që lyp përgjigje për msheftësinë e vdekjes, intelektshtajni asht fryt i përpjekjeve të Mjeshtёrve të caktuar për m’u shërby me te qysh asht ma së miri për ta, pra, aj e lyp msheftёsinё e suksesit e tё famёs sё shpejtё e tё pamerituar. Kështu ndër treqind copat e trurit të ngjitura për faqe të zezë nën rrashtën e tij, Mjeshtrat ia ngallmojnë pikërisht ato që atyre u duhen në vendin dhe nё kohën e caktuar. Derisa frankeshtajni, i cili, herë mbas here, kur e sheh veten në pasqyrë, kur e sheh veten se në ç’gjendje ka ra, mallkon veten dhe basin e tij tue e pa veten si ma fatkobin në botë, intelektshtajni, lene që vetë nuk e mendon kurrë këte por atij edhe ma shumë i hyn vetja në huj dhe shkrun lavde për Mjeshtrin e tij dhe uron ditën kur Basi i tij ka le. Pёr pasojё, aj e ndin veten ma të lumtunin në rrokulli, ma fatbardhin nё gjithёsi.
3. Nuk duhet shumë mend e me dijtë se intelektshtajni asht nxirak. Asnjë mendim i tij nuk e ndjek një të maparshmin, asnjë bindje e tij s’asht fryt as pasojë e zhvillimit të tij të vazhdushëm mendor. Veprimet e tij janë zingjir dështimesh. Biografia e tij asht statistikë maskash. Veçori spikatëse e intelektshtajnit asht mungesa e tij e ndjenjës për kohën dhe hapësirën sepse kohë-hapёsira e tij asht kohё-hapёsira e Mjeshtrit tё tij. Tue qenё kёshtu aj flet shatra-patra; thotë mirëmbrama në mëngjes ose themelon parti për rujtjen e dinosaurëve, ndërsa edhe zogjtë e dijnë se dinosaurët janë zhdukё para miliona vjetësh! Ma vonё, pa i ardhё marre hiç, tue kujtu njerёzit e tjerё se hanё bar, thotё publikisht: ata qё themelojnё parti pёr ruejtjen e dinosaurёve janё tё çmendur, ahmakё e bij ahmakёsh. Dinosaurёt nuk egzistojnё ma! Kёte e thotё me një mendjemadhёsi tё tillё thu se e ka zbulu kufirin e gjithёsisё. Dhe, natyrisht, e vetmja garё qё çdo i ndershёm doemos del humbёs me intelektshtajnin asht paftyrёsia. Sepse paftyrёsia e tij s’njeh kufi.
4. Nuk duhet kujtu se intelektshtajni asht me ka krejt trullan, lolo, trudalë. Larg kësaj. Aj e din shumë mirë se nuk asht i zoti që kurrnjë pune m’i dalë matanë. Aj asht gjysëhoxhë. E gjysëhoxha, qysh thonë, ta prish fenё. E intelektshtajni prish çdo gja. Sepse aj mendon se ndërton tue prishë. Aj prish edhe atё pak gjasend që sapo ka nisë me e ba, sepse urdhri i ri i Mjeshtërve të vjetër e gjen gjithmonë në gjysë tё punёs tue zbatu urdhrin paraprak. Eprorëve të tij gjithmonё u pёshpёrit kёndimthi: ‘Pooo! Sii urdhnooni!’ ndёrsa vartёsit e tij pёrhera i dёrrmon me rrufe: ‘JO’-jash!. Din kujt dhe kur m’ia lёpi kambёt. Poende edhe pak pёrmbi kambё. Dhe din kush pranon m’ia lëpi kambёt atij. Sepse intelektshtajni e gjen intelektshtajnin si norka norkën nga krrokamat, si hijena hijenёn tue ia nuhatë shurrën.
5. Intelektshtajni asht mёsu me ndёgju vёmendshёm dhe me mbajtё nё mend vetёm pjesё, fragmente tё gatshme tue mos ua kёrku as shkakun, as pasojёn. Aj gjithmonё asht dikund tue bisedu me dikend. Ndёrsa shfaqet si person i interesuar nё fusha shkencore e akademike. Aj bisedat i shtron gjithmonё tue pyetё provokushёm ose tue kundёrshtu çfarёdo pohimi pёr me nxjerrё e me ndёgju sa ma shumё pёrgjegje. Shpesh ate qё e ka lexu dje don me ta thanё me saktёsi dhe don m’u bisedu vetёm rreth asaj çashtje sepse vetёm aty ndihet i sigurtё. Kur ec ose kur flet e mban një vetull ma nalt, tue u pёrpjekё qё sё paku me vetull tё varet aty ku s’mun m’u varё me zotёsi intelekti dhe s’don as ftyra e tij m’u dukё simetrike sepse te aj çdo gja asht mbretni e asimetrisë. Sapo rrin me një politikan mendon se asht ba politikolog sepse paska arritё me i shtru dy pyetje ‘tё vёshtira’ bashkёbiseduesit tё tij, edhe ato tё huazuar prej një kuvendi tjetër. Posa darkon me një ekonomist mendon se mun me regjistru tashma magjistraturёn n’ekonomi sepse nё disa pyetje ekonomisti i i tij s’kishte arrijtё m’u pёrgjegjё qysh ka ndёgju aj prej një ekonomisti tjetёr. aj asht i zoti pёr çdo gja, pos me mendu e me gjyku drejt tue u nisё prej aksiomash tё veta. Shpesh e arsyeton kёte me faktin se priton me mendu. Dhe kёte nuk e sheh si një mungesё. Pёrkundrazi e çmon si cilёsi tё rrallё. Fjala vjen, arsyetohet aj, a duhet krejt na me ditё me ba televizora apo duhet me i ba do pare e me shku me e ble nё shitore televizorin e gatshёm? Natyrisht, po u bindёm – si aj - se krahasimi qёndron pohimi i tij del shumё i logjikshёm.
6. Frankeshtajni e njeh veten pёr ma tё shёmtuemin ndёrsa intelekshtajni e mban veten si boll tё bukur. Qebesa edhe shumё tё bukur. Dhe sado qё trushartuar kjo i reflektohet edhe nё jashtёsi dhe doemos ta kujton neandertalin, llojin e zhdukun paranjerёzor (tё cilit truni s’i punoi qysh duhet dhe u ba arsye pёr zhdukjen e tij). Megjithёse intelektshtajni, tue qenё arnesё, tue pasё zorrёn e Mjeshtrit nё gojё, si foshnja nё barkun e s’amёs, ka arritё me kriju jetё tё pёrkohshme mendore dhe gjykimet, bindjet e tij rrnojnё aq sa mushkojat – një ditё.
7. Mjeshtrave tё tij intelektshtajni u shёrben verbrisht dhe kёrkon shёrbim tё verbёt prej çirakёve tё tij. Tue u naltu nё hierarkinё intelektshtajniane aj mendon se po bahet ma i mençёm dhe jo ma dinak. Dobёsia e tij janё paret dhe pozitat apo anasjelltas. Gjithmonё keqkuptohet prej rrethit dhe mirёkuptohet prej Mjeshtrash. Virtyt pёr te asht me mbetё mbi sipёrfaqe me çdo kusht. Qoftё tue e ngulfatё secilin pёrreth pёr me mbetё gjallё, qoftё tue verbnu çdokend pёr me pa, qoftё tue i hangёr pёr sё gjalli tё tjerёt pёr mos me vdekё urie. Arsyetohet me pohimin e mjekёve që thankan se nё luftёn pёr egzistencё s’duhet vepru ma me logjikёn e zakonshme njerёzore.
8. Intelektshtajnёt, si gjeluca tё pёrkohshёm, çdo gja e kanё tё huj, pra edhe puplat, edhe zanin, edhe ngrehalucrinё… Zani i tyre nyjtohet nёpёr kofshё aparatesh ma moderne, pra, tingёllon i fortё e gjithpёrfshirёs. Por, fatbardhёsisht, pakkush ua ve veshin. Nё çdo shartesё tё re informative, ai, si halamruk qё asht, don me e pa veten tё lavduar. Pra, shkrun vazhdimisht nё gazetёn e vet, nё tё cilёn thotё se s’asht gazetar - mbasi ka dёshtu nё gazetari. E qun veten tjetёrqysh, shpik ndonjë emёn, ndonjë profesion tё ri. Sepse i don emёrtimet kuptimet e tё cilave janё tё paqarta, tё mjegullta. E tё tilla janё emёrtimet e huja, tё reja, ma pak tё njohura. Tue mos e shu krejtёsisht kёnaqёsinё e vetёlavdimeve aj i detyron çirakёt e vet, nё gazetёn, nё radion apo nё televizionin e vet, apo nёpёr kafet e qytezave me e lavdu ate, me komentu ndonjё veprim apo thanie tё tij, tue e ndёrlidhё me ndonjё emёn prej Mjeshtrash. Një emёr i huj dhe emri i tij aty e bajnё ma me peshё, ma tё randёsishёm. Nё gazetёn e vet i del syreti tue qeshё ngurrushёm sikurse kur e djeg supa qё e pin pёrfundi tavolinёs sё Mjeshtёrve tё tij, apo sikurse qeni që krrun bythën për asfalt. Artikullin e tij e stolisin artikujth tё tjerё tё çirakёve tё tij nё tё cilat fryhet pleshti i tij. Vepron me thanien e maxhupit: ‘Kush s’e lavdon veten ju kalltё shpia!’ Kjo quhet moto e gazetёs sё tij. Artikujt e tij janё, prap, krejt tё paqartё; larg çdo interesimi tё tij qoftё edhe tё pёrkohshёm pёr ndonjë fushё tё caktuar. Shkrun pёr sistemin e ujёsjellёsit, fjala vjen. Ndёrsa një ditё tjetёr pёr strategjinё e aleancave ushtarake botërore. Pra, si i gjithёdijshёm, aj shkrun dhe din çdo gja. Tamam si diktatorёt, ky asht diktatorth, i cili don me e ba pronё çdo gja qё s’u takon Mjeshtrave tё tij. Gjuha e tij asht pёrplot kundёrshti logjike si pasojё e treqind copave trunore tё bame kaçamak nёn rrashtё. Tue u pёrpjekё me thanё ate qё e kanё porositё Mjeshtrat, tue u ndeshё me fakte krejt tё tjera nё njëmendёsi, tue synu sa ma nalt e tue mos pasё takat mendor as me lёvizё prej vendi intelektshtajni flet pёrçart. Shkrun si prostitutat qё shkrujnё ditarin tue ba, nё ndёrkohё, seks me një myshteri. Kёshtu dorёshkrimi i del si shkarravinё, fjalёt e togfjalёshat shpesh janё tё huja e fjalitё dalin pa ndonjё porosi, si pasojё e shkrimjes sё dallgёve epshore, tё gjakimeve karrieriste dhe turreve tё pafrenushme emocionale. Pёr Mjeshtrat e tij shkrun lavdata tue ua rritё morrin pёr gjana qё ata kurrё s’kanё ba as s’e kanё pasё ndёrmend me ba, ndёrsa kundёrshtarёt e tij, tё cilёt s’ka guxim me i sulmu drejtpёrdrejt, i ndёrsen langojt e vet kundёr tyre tue shpifё e tue i kacagjelu nёpёr gazeta.
9. Ka intelekshtajn i cili ende as e din se asht i tillё, por një ditё, befas, e sheh tue shkru lavdata, veç lavdata pёr njerёz apo grupe njerёzish. E sheh tue ndejtё me një qё tashma asht i njohur si intelektshtajn. Apo shkrun nё gazetёn e një intelekshtajni. Apo flet nё televizor pёr astrologjinё. Befas e sheh nё një pozitё tё naltё: as meritu s’e ka, as mendu s’e ka se aty ka me qenё ndojherё. Por aj s’e mohon ofertёn. Pare e pozita aj s’mohon kurrё. Paraqitet se din shumё gjuhё, e gjuhёn e vet amnore e njeh pёr faqe tё zezё. Si kamarier dikur ka kёndu nёpёr oda, dhe e zen veten pёr kangatar qё ka shёnu epokё nё historinё e muzikёs ose ka vallёzu nё shkollёn fillore potpuri vallesh jugosllave dhe tash mendon se Michael Jackson-i ka çka me mёsu prej tij. Pёrpiqet qё vulgut tё tij m’ia shartu idenё e trimrisё sё tij sepse dikur vonё merr urdhrin-kёshillё prej Mjeshtrit tё tij se populli tё cilit i pёrket vetё aj e adhuroka trimrinё. Ikjet, qёndrimin e msheftё e tё sigurtё tё tij don me e paraqitё si pёrpjekje tejet tё rrezikshme ku ka mujtё me e lanё kryet. Krejt kjo vjen ngaqё aj tash duhet m’u shfaqё si trim. Dhe aj bahet m’u dokё trim. Kryet qё gjithmonё e ka mbajtё pёrpjetё tash pёrpiqet me e çue edhe ma nalt. Natёn ban ngjeshje tё qafёs sepse i shtohen dhembjet tue u pёrpjekё me e çue kryet ma nalt se sa qё biologjikisht asht ndёrtu me u çu. Në mëqakje të këtilla soji dhe sorollopi i tij nisin me i përngja ma shumë xhirafës sesa insanit.
10. Intelektshtajni, tue qenё trushartuar, mendon se din çdo gja, e, fatkobsisht, din asgja. Si kompensim pёr kёtё mangёsi tё tij tё dukshme aktrimi bahet dhunti e lindur e çdo intelektshtajni. Tue aktru shёrbёtorin stёrbesnik, eprorin e rreptё, menalokun e kujdesshёm, palaçon e kalamajve tё Mjeshtёrve aj e ngop çdo ndjenjё mungese qё i shfaqet herё pas here. Sepse çka vetëshkridhet e vetëspikatet në këtë botë jallane ma parë se sa marrëzia?
11. E vetmja zotёsi, aftёsi e pamohushme e intelektshtajnit asht zotёsia e tij me nёnshkru. Kёtu nuk ia kalon kurrkush. Dhe ndoshta profesioni i vetёm i mirёfilltё i tij asht kudonёnshkrimtaria e tij. Pseudonim i tij, dhe ndoshta emni-kod te Mjeshtrat e tij, asht Kudonёnshkruesi. Romane krejtёsisht tё huja, nёnshkrun me emrin e tij. Nёse asht dёnu dikush me vdekje aj nёnshkrun urdhrin pёr egzekutim, pa e njoftё njeriun dhe pa e ditё se ç’krim ka ba. Nёse e ftojnё me nёnshkru shpallje lufte, apo marrëveshje paqe aj asht aty me vu imzanё. Ky virtuoz imzaxhi as s’ka nder, as ftyrё, as moral. Sepse me qitё imzanё e tij aj mendon se asht morali ma i naltё. Edhe nё popullin, tё cilin aj e nёnçmon dhe e mban pёr gjysёm tё egёr e tё pagdhendun – e n’emёn tё tё cilit aj gjithmonё qet dikund imza – asht zakon qё kur shkon me folё dikund n’emёn tё, sё paku, një tё dyti, duhesh me e pasё miratimin e atij tё dytit. Por, intelektshtajni ynё, i cili s’e ka miratimin as tё dorёs sё vet tё majtё pёr atё se çka nёnshkrun i djathti, tue e zanё veten pёr ma tё mençmin – gjithmonё deri nёn Mjeshtrin e tij - mendon se as dora e majtё e tij, as familja e tij, tё cilёt gjithashtu kurrё s’janё paraqitё publikisht se pranojnё ate çka nёnshkrun ai, aq ma pak populli i tij ‘budallё’, nuk janё tё vetёdijshёm pёr Çastin Historik. Por çashtja asht qё, tue i pasё hy vetja nё qejf, intelektshtajni ynё mendon se çdo sekondё qё aj asht mbi tokё asht Çast Historik ndёrsa kur nёnshkrun, nё tё vёrtetё, asht Stёrçast Historik. Kёshtu qё s’ka çka i duhet atij miratimi i popullit tё tij, i familjes sё tij, qoftё edhe i dorёs sё tij tё majtё pёr çka nёnshkrun dora e tij e djathtё kur aj asht pёrcaktu prej hyjnisё sё tij – Mjeshtrit – me vu imzanё. Nёnshkrimin e tij e gjeni nё çdo nevojtore tё shkollave ku aj ka provu m’u shkollu. Nё bankat e amfiteatrave. Nё zyrat kur ka punu si nёpunёs.
12. Shpesh kudonёnshkrimtaria, poende, asht edhe zanat sekret familjar, sikurse argjendaria, pushkataria, bozaxhillёku dikur. Dhe trashёgohet si çdo ndёrduarçmje brez mbas brezi. Ndёrrohen pushtete, armata, pushtues e shlirues, tё tё gjitha llojeve tё demokracive e tё diktaturave tё mundshme, por dora e Kudonёnshkruesit, e Imzaxhisё, ajo e djathta, asht gjithmonё mbi tavolinё nё kandin e djathtё tё letrёs. I vetmi ushtrim i mёngjesit tё intelektshtajnit tё tillё asht mbledhja-shtrirja e gishtave tё dorёs sё djathtё, ngritja-ulja me rend e tё pestave, stёrvitja tue mbushё fletё tё tana me nёnshkrime, natyrisht, me myreqep tё zakonshёm. Aj e ka tё trashёguem doracakun e stёrlashtё qё quhet ‘Joga e Dorёs sё Shenjtё’.
13. Tue pasё zanat familjar imzaxhillёkun, kudonёnshkruesit e kanё zhvillu deri nё perfeksion punёn e prodhimit tё langut tё domosdoshёm pёr nёnshkrim – myreqepit. Ashtu qysh vija mashkullore e imzaxhive mёson se qysh nёnshkruhet dhe e stёrvit dorёn e djathtё, vija femrore mёson formulёn e gatimit tё myreqepit. Cilёsia e myreqepit asht tregues i pedigresё familjare nё punё imzaxhillёku. Ata qё sapo kanё hy nё tarikatin e imzaxhillёkut prodhojnё myreqep qё dobёt qё zbehet apo edhe shlyhet me kalimin e kohёs. Por ata qё kёte e kanё traditё familjare, formulёn e myreqepit jetёgjatё e rujnё nёpёr hajmalia, mshelё me shtatё dryna. Nёnshkrimi i tyre ka shkёlqim tjetёrfare dhe as shlyhet as e humb shkёlqimin. Letra mbaron e prishet ndёrsa pjesa ku Kudonёnshkruesi ka kudonёnshkru mbetet tue vizёllu si argjendi tue u shkri. E kёta janё imzaxhi profesionistё. Ata jetojnё prej punёs qё quhet Kudonёnshkrimtari.
14. Por si çdo profesion e zotёsi nё kёtё botё edhe kudonёnshkrimtaria ka hierarki. Janё kasta e naltё, kasta e mesme dhe kasta e ulёt e gjithkund-imzaxhive. Pёr me mujtё m’u pranu nё atё ma tё ultёn kastё, vetja e caktuar duhet me ditё se qysh lahen kambёt e huja e qysh u pihet uji. Natyrisht, pёr një punё tё tillё duhet me e pasё lukthin e fortё. Nё fillim, tue pi ujin prej thembrave tё çame, e tё zezave tё thonjve, e ndytёsive tё nejeve, rishtarёve u trubullohet lukthi. Vjellin netë tё tana dhe gati sa nuk i qesin zorrёt jashtё. Masandej dalngadalё nisin dhe e tretin gjithnjë e ma mirё. Sepse nisin e i lajnё ma shpesh kambёt e Mjeshtrave tё tyne dhe, për pasojë, nisin e pinё ujё ma tё pastёr. Edhe lukthi, qebesa, shkon tue u mёsu. E, kёshtu, ata bahen anёtarё tё plotё tё rishtarёve. Nё fazёn e dytё nisin m’u mёsu se qysh lёpihen kёpucat, pёr me vizёllu nё kambёn e Mjeshtrave qysh asht ma sё miri. Lёpijnё lloçin, fijet e baglave tё ngjituna pёr fundin e kambёve, e shkojnё kёshtu tue lёpi çdo gja si langoi ashtin e hedhun nё baltё. Lёpijnё lugё, enё, sahana, tepsia, piruj, llulla, rrypa, faculeta tё pёrqyrravta, brekё, çorape, kapuça tё Mjeshtёrve. Dhe marrja e diplomёs pёr kastёn e dytё varet se sa tё suksesshёm kanё qenё gjatё lёpimjeve tё maparme. Nё kastёn e tretё janё ata, aristokracia e kudonёnshkruesve, me traditё tё lashtё familjare nё punё nёnshkrimesh, me gjuhё tё stёrvitur tё lёpimjeve, me hundёn pёrpjetё tё dinjëtetit tё horrit, dhe me faqen, qё nuk skuqet kurrё, tё llaskucit. Ata kanё nё shtёpitё e tyre trofe e diploma qё kanё marrё prej Mjeshtёrve, gjysh e stёrgjysh. Janё kastё dhe martohen veç brenda kaste pёr mos me humbё shumё cilёsi si: msheftёsitё e stёrvitjeve tё dorёs sё djathtё, formulёn e pёrbamjes kimike tё myreqepit, stёrvitje e muskujve tё gjuhёs pёr lёpimje rrotullake, tё djathtamajtshme e poshtёpёrpjetshme.
15. Asht një strip, i cili ka pasё pёr personazh një njeri i cili bahet i padukshёm. Por pёr me mujtё m’e kallxu pamunisht se ku asht, autori i stripit e paraqet heroin e tij se si e vesh një dorёz nё dorёn e djathtё ashtu qё lexuesi me mujtё me ndjekё se ku asht personazhi i tij kryesor. Kёshtu, prej tij na e shohim vetёm dorёn e djathtё se si shetitet poshtё e pёrpjetё. Tё kёtillё janё edhe Kudonёnshkruesit: tё padukshёm kur duhet tё duken nё punё tё vёrteta, dhe tё dukshёm vetёm atёherё - me dorёn e tyne tё djathtё – kur duhet me nёnshkru dikund diçka. Edhe atёherё kur mendojmё se tashma janё zhdukё, nёse dojmë me i pa, veç duhet me nxjerrё një letёr tё bardhё e me thanё: ‘Na duhet një nёnshkrim!’ dhe ata na shfaqen pёrnjёheri ashtu qysh shfaqet divi kur fёrkohet llamba e Aladinit, por pёr intelektshtajnin mjafton m’e fёrku prapanicёn e magaricёs.
16. Intelektshtajnёt kanё zotёsi tё pakrahasushme shёndrrimi. Sepse, si qoftёlargu, ata shumё lehtё trupzohen e shfaqen si dhelpra besnike, si ujq tё mёshirshёm, si gra virgjёnesha, si trima tё hallvёs, si zotni tё palagaçave, si komunista besnikё, si ballista tё pёrbetuar, si myslimanё tё fortё, si tё krishtenё tё devotshёm. Ngjyra, pёrkatёsia e tyne, botёkuptimi, bindjet dhe çdo gja tjetёr varen prej asaj cope tё shenjtё letre dhe sidomos kandi i i poshtёm i djathtё ku duhet nёnshkru. Nёse duhet nёnshkru ndёrmjet palёve komunistё, intelekshtajni skuqet si prapanica e rrahun e majmunit, veç me u kallxu sa asht i pёrkushtuar nё punё ideologjie e besnikie. Shan me çka t’i vjen nё gojё fetё, e nalton Mjeshtrin Ateist si nё poezi, ashtu edhe nё tregime e romane. Profetёt i qun kryerrenca. Tё shenjtit lugatё tё pёrparimit njerёzor. Tё nesёrmen, kur vlera e nёnshkrimeve komuniste ka mbaru, e sheh krahaqafas me një prift se si betohet nё kryet e papёs e nё gjakun e Krishtit apo e sheh me tespihë nё dorё para xhamisё, se si me hoxhёn ban muhabet rreth sharteve tё turknisё. Betohet se e lexon Kuranin nё origjinal, megjithёse tanё jetёn i ka quejtё arabёt popull tё egёr dhe gjuhёn e alfabetin e tyne krrokama e gjurma laraskash. As s’asht çudi kur e shohim se si shkrun parathanie apologjike pёr poezitё e papёs tё cilin deri dje e ka qujtё derr. Komunizmin e quen verbri e marri. I mallkon tё gjithё ata qё kanё qenё komunista tue u çuditё se qysh ka mujtё dikush me besu nё një botёkuptim tё tillё qё s’ka ditё çka asht mёshira, tue harru se vetё asht plakё e, qebesa, i ka plakё edhe tё tjerёt tue propagu madhёshtinё e komunizmit. Jep intervista tё gjata tue shitё mend pёr moralin, pёr atdhetarinё, pёr ndershmёrinё, pёr burrërinё, pёr artin, pёr estetikёn. Gjuha e tij ka lёpi turlifarё prapanicash dhe me folё fjalё me tё cilat e zhyt veten nё xhiriz nuk asht punё e randё pёr te. Tue u plakё, mbasi ka tradhtu, ka propagu, ka shpifё, ka akuzu e ka dёshmu rrejshёm, mbasi ka marrё nё qafё dhjetna e qinda fate njerёzore qoftё fizikisht tue i rrasё nёpёr burgje, qoftё psikikisht tue propagu baglat pёr hoje bletash, intelektshtajnin e gjejmё jo rrallё tё kthyem nё besimtar tё devotshёm i cili predikon mёshirёn – e vetё kurrё s’ka ditё çka asht mёshira, qoftё burrërinё – pa u dёshmu kurrnjёherё nё jetё si i tillё. E çka asht fund i kusisё aj mban ders edhe pёr ndershmёrinё ndёrsa tanё jeta e tij ka qenё kolekcionim shnderimesh dhe abetare poshtёrsish. E gjejmё nё kishё, nё xhami, nё teqe kokёulun e serioz si maçorr tue gёrrhatё lutjet e rikujtume tё gjyshes sё vet tё ndjeme. Nё çdo bisedё tё mundshme, aty kah fundi, s’e harron emnin e zotit. E pёrmend me ngashёrim. Por zot i intelektshtajnit mun me qenё vetёm një dreq ma djall se dreqi, një dreq me brina, një zotshtajn.
17. Intelekshtajni pёr shkak se e ka shpirtin sa syni i pleshtit, asht inatçor dhe s’din çka asht pendesa. S’din çka asht me kёrku falje para shokёve, kolegёve apo vartёsve tё tij, para popullit tё tij, pёr gabimet e dёshtimet me tё cilat i ka marrё nё qafё; asht nё gjendje edhe botёs m’ia shti flakёn vetёm mos me thanё: ‘Mё falni se paskam gabu!’ tue e kuptu kёte si poshtnim e jo si një virtyt e cilёsi njerёzore sepse nuk ka bishё qё din çka asht pendesa. Vetёm Mjeshtёrve tё tij, edhe kur gabon edhe kur s’gabon, u thotё vazhdimisht: ‘Mё falni mue fatkobin se kam gabu! Mё falni mue gjynahqarin, falmëni, mё falni, falmëni!…’
18. Intelektshtajnin e gjejmё tue ndёrru vazhdimisht profesionet. Sepse aj mendon se me aq lehtёsi qё ndёrrohen fytyrat mujnё me u ndёrru edhe profesionet. Tue e ditё veten si tё pakurrizor, aj mendon se mun m’u pёrbiru nё çdo profesion. Sot asht valltar nё ndonjё kafe-bordel, nesёr e shohim tue shitё mend nё ndonjё gazetё lokale pёr mёnyrёn dhe stilet e tё shkruarit. Pasnesёr aj asht tue mbajtё kurs robaqepёsie apo letёrsie megjithёse as s’din ku vehet pika as presja. Natyrisht, tue qenё nё shёrbim tё Mjeshtёrve, intelektshtajni e mёson shumё shpejt gjuhёn e Mjeshtёrve tё vet. Dhe sa ma shpesh qё ndёrrohen Ustallarёt aq ma shumё gjuhё aj i zotron dhe aq ma shumё e harron gjuhёn e vet amtare. Kёshtu aj bahet poliglot dhe poliglotizmi asht një veçori jo pak e randёsishme e intelektshtajnit. Fjala vjen, gjyshin e tij e gjejmё se e pakёsh zotnu pёr bukuri osmanishten e turqishten, arabishten e persishten dhe kurrё s’e paskёsh lёshu prej goje shprehjen ‘lepe-pekej’ ndaj Ustallarёve tё tij. Por koha që e haka edhe kashtёn, e paska shkri edhe Perandorinё e lavdishme Osmane, dhe intelekshtajnit tonё i paskёshin mbetё vetёm reliket e saj: ora me qystek e gjyshit tё tij, festja e kuqe, syretat e zverdhur tё imamёve, disa fletё tё pakuptushme tё shkruara nё alfabetin arab e me korniza tё praruara tё cilat gati një shekull qenkёshin shtresu me pluhun nё tavan. Pastaj gjyshi i tij, kah fundi i jetёs, e gjejmё se u paskёsh detyru me e mёsu serbishten dhe alfabetin e vёshtirё cirilik se iu paskёsh dashё me kudonёnshkru sa herё qё e paskёshin thirrё vojvodat dhe naçallnikёt. I ati i tij paskёsh mёsu shumё gjana prej gjyshi por paskёshin ndёrru kohët dhe paskёshin ardhё tё tjera zemane e tё tjera hyqymete, por zanatit tё kudonёnshkrimtarisё jo vetёm nuk i paskёsh ra vlera por qenkёsh ba edhe ma i çmushёm. Baba-intelekshtajn paskёsh nisё me mёsu se si nёnshkruhet nё alfabetin cirilik, por tash kёte duhej ba para komisarёsh, nё zyre kryespiunash tё shёrbimeve sekrete ushtarake e tё sigurimeve shtetrore. Edhe kёte baba-intelektshtajn e paskёsh kry me sukses. Pushkatimet, arrestimet, masakrimet, burgosjet paskan shku tue u shtu e bashkё me to edhe nёnshkrimet shkёlqimplota.
Baba-intelektshtajn dalngadalё, qysh tue qenё kёlysh, e paskёsh mёsu se qysh duhet m’u ba langu besnik i gjuetarёve tё fortё tё cilёt dinё me e vra popullin e tij. Dhe e ka mёsu mirё sepse qysh nё shkollё intelektshtajni jonë paska nisё me zbulu ‘armiq tё kombit’ dhe ‘armiq tё gjuetarёve komisarё’ armiq tё Mjeshtёrve. Kёshtu u paskёsh rritё dhe paskёsh mёsu kudonёnshkrimtarinё, imzaxhillёkun dalngadalё me shumё mund e djersё por, nё fund, me shumё sukses. Kёshtu sa pёr cilёsinё e nёnshkrimit, bukurinё artistike, lakeluket dhe holletrashat e pendёs s’mun i gjehet behane. Edhe sot e kёsaj dite intelekshtajni ynё nёshkrun pёr m’ia pasё lakmi.
19. Intelektshtajni, prandej, asht komponimi ma i karabythtё i mendjes njerёzore. Suksesi ma spektakular i projekteve tё Mjeshtёrve planetarё sot. Aj asht golem, i patrajtё, si uji: aty ku derdhet e merr atё formё. Ose vazhdon me rrjedhё tue i nuhatё gjurmat e Mjeshtёrve tё ardhshёm tё mundshёm.
20. Tue e pasё tё vetmin profesion kudonёnshkrimtarinё dikush ka me u dvetё athu qysh rrnon intelektshtajni? Kah merr pare pёr jetesё? Nё tё vёrtetё, aj as nuk din çka asht parja sepse qysh edhe gjyshi i tij ka harru kuptimin e asaj letre pёr tё cilёn njerёzia rroposen tanё jetёn e gjatё. Kjo nuk asht çudi sepse pёr paren e intelekshtajnёve kujdesen Mjeshtrat. Krejt çka u duhet me ba ata asht, natyrisht, vetёm me kudonёnshkru dhe me gjithçkanënshkru, si me shkop magjik, gjanat shfaqen sa çel e mshel sytё. Nuk ka randёsi se sa projekte dёshtojnё, se sa parja shkon huq sepse intelektshtajni ynё e din se kjo s’çon peshё ngaqё një nёnshkrim i tij ripёrtёrin çdo gja dhe se taphanja e Mjeshtrit punon pajada. Çdo gja prej tij asht larg vetёm një imza. Tue e pa se me nёnshkru s’qenka punё e kotё gjindja me primje intelektshtajniane hidhen me mёsu sa ma shpejt pehlivanllёkun e tё nёnshkruarit. Por, tё shkretёt, as nuk e dinё formulёn e msheftё tё gatimit tё myreqepit as nuk dinё ku janё dyert e mёdha tё Mjeshtёrve tё Taphanes. Dhe, kёto dy fakte i lanё me gishta nё gojё tё gjithё ata entusiastё dhe imzaxhi potencialё.

Agim MORINA

I FEAR FOR FREEDOM - poem

I'm afraid freedom will come one day:
And I will not know her,
I will not notice her.
She will sit next to me in the bus,
Get off in some distant land,
And I will be told:
‘There goes freedom! Didn’t you recognise her?”
Freedom will come, like my father's death,
That I could never believe...

I fear freedom will come very bright,
I fear freedom will come quiet, very quiet,
I fear I will die
While she is in the hall taking off her shoes
I fear freedom is a beauty
I will never make love to,
I fear freedom, poor freedom,
will come, and I’ll have her in my hands,
but I will lose her like the most loved photograph,
I fear freedom will fail to stop, rushing by,
the train driver will fall asleep,
Or she will not see me, like the sailor
missing the shipwrecked in the sea,
I fear I’ll say to her: "Get lost you dirty whore!”
Or "My dear, where have you been until now?"
How could you come to Kosova this late?”
I fear she will miss her plane,
terrorists will kidnap her,
Or she will lose her ticket.
Something unexpected will happen.
An Irish dancer will try to teach her to dance in Dublin.
Some Italian will take her to Rome,
Or some escimo will freeze her under igloo
Trying to make her to smile giving her a smoked fish.

I fear I’ll be very happy.
Too happy. When I see her come.
And I will be very sad when I realise she won't come.
I might get run over by some fast train,
While confused and delighted I greet freedom,
I fear the building will collapse,
while under its shadow, with a little flag in my hand, I wait for freedom to pass by.
Both God and Devil I will thank,
One day when I've seen freedom.

I fear someone will hand freedom to me,
And I will be polite and not take it,
Or, I fear, I’ll take it, just to be polite.
I fear it will be cold,
And freedom may freeze on the road,
or it will be too hot
And she will die of a stroke or thirst
(I haven’t got good neighbours who would help her).
I fear freedom may eat an apple
and it will get stuck in her throat...
Or may fall from a bicycle,
On a Sunday
When the ambulance drivers will be off duty...
I fear freedom will have a faulty passport,
with a stamp from Qafëthana or expired!
I fear I might eat freedom in some sweet shop
Or swallow it like a kebab,
Never knowing what I have eaten.
I'm afraid that freedom might pop,
in some kid’s balloon,
where she has suddenly fallen asleep.
I fear freedom might be caged
in some Zoo, as a rare species,
Very rare.
I fear freedom will come disguised as a rabbit
To amuse the children,
And some hunter will fire at her, before I get to say
(just like in the movies): “Don’t shoot!”
I fear freedom might be a bear
some gypsy is pulling by the nose
Making her dance from village to village;
I fear freedom is a nail,
some villager has nailed into some beam
and now is going rusty from sadness.
I fear freedom might phone me,
while shaving and whistling in the bathroom,
I will not hear the phone ring.
Or she will knock on my door,
and I’ll be with my friends in some cafe,
Discussing peppers I never eat.
That’s why I fear when I leave my flat
I fear when I’m in my flat,
I fear while walking or eating.
I wonder if she has lost the address or the phone number
to some pickpocket who had no idea whom he was robbing
And what.
I fear I might go blind or deaf,
I fear I might get sick, die,
Since I could not give slavery its due,
I want to welcome freedom with everything: ready as a broom.
Smiling. Combed. Neat. Perfumed.

When I go out, I look at people carefully,
I say, I might see freedom amongst them,
or its herald.
I look carefully at the loaded donkeys,
the wandering dogs.
The river waves
And the train timetables.
I explore the beehives and cuckoos' eggs
I open my mailbox every day,
And scratch behind my house.
I follow the caw and the birds flying

Everything could happen
That’s way I fear from everything

I wonder if tired
Sick or thirsty,
She is somewhere
Waiting for me.

Agim MORINA

KAM FRIGË PËR LIRINË - poezi



Kam frigë se nji ditë ka me ardhë liria:
E unë s'kam m’e njoftë,
S'kam me e dallu.
Ka m’u ulë pranë meje n'autobus,
E ka me zbritë në ndonjё vend të largët.
E mandej kanë me m'thanë:
"Ja ajo qe liria. S'e njofte a?"

Ka me ardhë liria, si vdekja e tim eti,
Të cilën s'e besova kurrë...

Kam frigë se liria ka me ardhë me shumë dritë.
Kam frigë se liria ka me ardhë krejt e qetë.
Kam frigë se kam me vdekë
Derisa ajo në paradhomë âsht tue i zbathë këpucat.
Kam frikë se liria asht nji femën e bukur,
Me të cilën kurrë s'kam me çu dashuni.
Kam frigë se liria, e shkreta liri,
Ka me ardhë, e do ta kem ndër duer,
Por kam m’e humbë si fotografinë ma t'dashun.
Kam frigë se liria s'ka m’u ndalë prej turri,
Ngase makinistin e lokomotivës ka m’e zanë gjumi,
Apo s'ka me m'pa, si marinari,
Lundërthyesin e lodhun mbi valët e detit,
Kam frigë se mos kam m’i thanë lirisë: "Shporru kurvë e keqe!"
Apo kam m'i thanë: "Aman të keqen, e ku ishe deri tash?
A vihet në Kosovë kaq vonë?"
Kam frigë se lirisë ka m’i ikë aeroplani,
Apo kanë me e kidnapu terroristat,
Apo ka me e humbë biletën.

Kam frigë se mos kam me u gëzu shumë,
Tepër, kur ta shoh se ka ardhë;
E me u pikëllu shumë kur ta kuptoj se s'ka me ardhë.
Mos vallë ka me m'shkelë ndoj tren i shpejtë,
Derisa unë i hutuem e i ngazëllyem jam tue e përshëndetë lirinë,
Kam frigë se mos ka me u rrënu godina,
Nën hijen e së cilës me flamurth në dorë pres me kalu liria.
Ka me ndodhë diç e paplanifikueme.
Kanë m’e marrë irlandezët e me çu në Dablin.
Apo italianёt e m’e çu nё Romё.

Edhe zotin edhe dreqin kam me i falenderu,
Një ditë kur kam m’e pa lirinë.

Kam frigë se dikush ka me ma falë lirinë,
E unë s'kam m’e marrë nga mirësjellja.
Apo kam frigë se kam m’e marrë, pikërisht nga mirësjellja.
Kam frigë se ka me qenë ftohtë,
Dhe liria mun m’u mërdhî rrugëve.
Kam frigë se ka me qenë zheg i madh,
E ka me vdekë nga pika në tru apo nga etja e madhe,
(Nuk kam kojshi të mirë që kishin m’i ndihmu).
Kam frigë se liria ka me hangër ndoj mollë,
E ka m’i mbetë n'fyt...
Apo ka m’u rrëzu prej biciklle,
E atë ditë ka me qenë e diell,
Dhe s'ka me punu ndihma e parë...
Kam frigë se liria s'ka me e pasë pasaportën në rregull,
Ndonjё vulë të Qafëthanës apo afat të tejkaluem.

Kam frigë se mos po e ha lirinë në ndonji ambëltore,
Apo mos po e kapërdij si ndoj qebap,
Pa e ditë kurrë se çfarë kam hangër.
Kam frigë se mos po pëlcet liria,
Në tullumbacen e ndoj carroku,
Ku papritmas e ka zanë gjumi.
Kam frigë se mos e kanë mbyllë lirinë
Në ndoj kopsht zoologjik sepse asht kafshë e rrallë,
Shumë e rrallë.
Kam frigë se mos, liria, asht masku n'lepur,
Për m’i argëtu fëmijёt,
Dhe ndonji gjuetar del dhe e vret, pak para se t'i thom,
(Si në filma): "Mos gjuj!"
Kam frigë se mos liria asht ndoj arushë,
Të cilin ndonjë jevg e ngre për hunde,
Dhe e shtyn me vallëzu katund-ëm-katund.
Kam frigë se mos asht liria gozhdë,
Të cilin ndoj katundar e ka ngulë në ndoj tra
Dhe tash e ndryshk pikëllimi.
Kam frigë se ka me mё telefonu liria,
E unë tue u rru kam me vërshëlly në banjë,
E s'kam me ndëgju cingërrimën e telefonit.
Apo ajo ka me mё trokitë në derë,
E unë kam me qenë me shokë në ndoj kafeteri,
Tue diskutu për specat që s'i ha kurrë.
Prandej, kam frigë kur dal nga banesa,
Kam frigë kur rri në banesë,
Kam frigë kur jam tue ecë apo tue ngranë,
Thom mos e ka humbë adresën apo numrin e telefonit,
E ka plaçkitë ndonjë brac, pa e ditur kend,
Dhe çka.
Kam frigë se mos po verbohem, mos po shurdhohem,
Kam frigë se mos sëmuhem, se mos po vdes,
Mbasi robninë s'mujta me e pritë qysh duhet,
Lirinë du m’e pritë me të gjitha: i gatshëm si fshisa.
I buzëqeshun. I krehun. I hekurosun. I parfumosun.

Kur dal në rrugë i vëzhgoj mirë njerёzit,
Thom, mos po e shoh ndër ta lirinë,
apo lajmtarin e saj.
E vëzhgoj me kujdes ndoj gomar të ngarkuem,
Apo ndoj qen endacak.
I kundroj me vëmendje valët e lumit,
Dhe orarin e trenave.
I hulumtoj zgjojet e bletëve dhe vezët e qyqeve.
Çdo ditë e hap kutinë e postës,
Dhe shpupuris mbrapa shtëpisë.
E përcjell krrokamën dhe fluturimin e shpendëve.

Thom, mos e lodhun
E sëmutë apo e etshme,
Ka mbetё diku
Dhe më pret mue.

Agim MORINA
Prishtinë, 1989

ARDHMËNIA E QORTUAR

Trajtesë – me rastin e 70-vjetorit të lindjes së Kasëm Trebeshinës

'VENDOSA QË TË SHKRUAJ...'

Historia asnjëherë nuk ka pasur mirëkuptim për ata që e kanë zbuluar në njërën apo në tjetrën mënyrë lakuriqësinë e saj. Pasi që historia asnjëherë s`është krijuar pa anët e ndyra të saj, edhe intelektuali asnjëherë s`ka ngurruar që këto t`i nxjerrë në shesh. Prandaj ka ndodhur, po ndodh dhe do të ndodhë që intelektuali të kalojë nëpër mijëra lloje të ferrit njerëzor, sepse nga njëra anë prej tij kërkohet që të dorëzohet, të mos shërbehet më me intelektin, të mos e njohë për të vetmin zot Të Vërtetën, e nga ana tjetër, intelektuali, përkundrazi, mbledh forca nga hapësirat më të panjohura mendore dhe i kundërvihet rrjedhës mbizotnuese; ai del para stampedos së egërsuar të antiintelektualëve, të mediokriteteve, të nëpunësve, të shkrolësve, të sahanlëpirësve, i vetëdijshëm se duhet t`i durojë mija e miliona thundra mbi trupin e tij të brishtë. Por fakti se, derisa për luzmën e njerëzve historia është bërë, për intelektualin historia tek mund të bëhet dhe kjo e mban atë e mban të gjallë, të fortë e të papërkulshëm.
Por fati i intelektualit si person bashkë me fatin e mendimeve të tij përherë ka qenë i vajtueshëm. Do të mund të quhej kasandrizëm. Sepse nëse Kasandrës, bijës së Prijamit, perënditë ia caktuan një fat të tillë që ta parashihte e ta parathoshte ardhmëninë me kusht që askush të mos i besonte, po ky fat i njëjtë i ka ndjekur dhe i ndjek edhe intelektualët. Prandaj ata lirisht mund të quhen bij shpirtërorë të Kasandrës së lashtë. Ata përafërisht e dinë se kah do të shkojë zhvillimi i një shoqërie, ku mund të çojnë ambiciet e sëmura karrieriste, si kanalizohet verbëria e aleancave klanore etj., megjithëse nuk e dinë se kah do t`ia mbajnë ata vetë. E dinë se personalisht do të pësojnë pikërisht nga ata të cilëve ua kanë tërhequr vërejtjen që të mos pësojnë. Në shikim të parë çdo veprim i tyre duket paradoksal, ndërsa në esencë ne marrim pjesë në një ndeshje të historisë që bëhet dhe të historisë që duhet të bëhet.
Natyrisht, në nënqiellin tonë ka pasur dhe ka keqkuptime edhe në përcaktimin se kush është intelektuali. Mbizotnojnë anët sociologjike si: intelektual është ai që ka lexuar shumë libra; ai që ka të kryer një apo më shumë fakultete, (poende, ky i fundit është intelektual edhe më i madh); intelektual është ai që ka shkruar një apo më shumë libra, dhe në këtë vijë shkrimtar-intelektual ka pasur dhe ka edhe sot më së shumti keqkuptime, apo thjesht, intelektual është ai që di të shkruajë apo ai që është në një pozicion të lartë shoqëror. Por, fatbardhësisht, intelektual mund të jetë edhe njeriu i cili s`ka kryer kurrfarë fakulteti, edhe njeriu i cili s`ka shkruar asnjë libër të vetëm, edhe njeriu i cili s`ka kurrfarë pozicioni të rëndësishëm shoqëror, poende, intelektual mund të jetë edhe njeriu i cili nuk di të shkruajë fare. Dhe ja, kushtet për t`u bërë intelektual në dukje janë aq të lehta, ndërsa, megjithatë, ka aq pak intelektualë! Pse?
Është fakt i pamohueshëm se intelektuali nuk don t`i shfrytëzojë rrethanat shoqërore, ai synon t`i kuptimsojë ato. Në këtë synim ai përherë ndeshet me pengesat dhe pëson. Duke pësuar në vend që të dobësohet ai forcohet; në vend që të verbohet ai sheh edhe më qartë; në vend që t`i vagëllohet atij i kthjellohet gjykimi. Dhe portretin më të mirë të intelektualit e jep frazeologjia shqipe: ai është e zeza e vetes! Po, është e zeza e vetes, por është e bardha e shoqërisë, e atyre që e rrethojnë dhe e bardha e Të Vërtetës. "Vendosa që ta shkruaj këtë "promemorie" dhe t`ua nis pa humbur kohë." thotë Kasëm Trebeshina në "Promemorien" e tij. "Pa humbur kohë"? Kohën e kujt? Pa e humbur kohën e tij personale? Jo. Por, kohën e një kolektiviteti. Kohën e pakthyeshme të një kombi, i cili do të bredhë Detit të Marrëzisë mbi Trapin e Meduzës. Askush nuk e dinte se klepsidra e theqafjes shqiptare ishte kthyer kaq mbrapsht, dhe në vend të ecjes përpara ajo shënonte prapavajtjen. Që në çastet e para, në një vendnumrim të parë, K. Trebeshina e niste promemorjen "pa humbur kohë". Sa kohë do të humbë! Tash na kap tmerri kur e dimë këtë. Si ta paramendojmë pozitën e atij që këtë e ka ditur dhe e ka thënë që më 5 tetor 1953?


"MENDOJ SE DUHET TË MENDOHENI"


Të nisur nga vetë emërtimi intelekt-ual, del se intelektuali është njeriu i cili shërbëhet me intelektin, me arsyen; gjithsesi, me intelektin, me arsyen e cila do t`i shërbejë me çdo kusht Të Vërtetës. Si t`i shërbejë Të Vërtetës?
"Ngjarjet e fundit më kanë bërë TË MENDOHEM SERIOZISHT..." thotë qysh në rreshtin e parë të "Promemories" së tij, Kasëm Trebeshina, e vazhdon: "... sa për faktin që ndodhën, aq edhe për shkaqet që bënë të ndodhnin. MENDOJ SE EDHE JU DUHET TË MENDOHENI (...)!" Ja fjala e parë dhe e fundit e çdo intelektuali. Ai nuk imponon asnjë mendim, asnjë gjykim. Ai kërkon shqyrtim duke menduar seriozisht. Le ta kuptojmë atë togun "të mendohem seriozisht" si: t`i shqyrtojmë, t`i analizojmë, t`i hulumtojmë mendisht të gjitha shkaqet dhe pasojat e mundshme të veprimeve tona, le të gjykojmë me arsye e sa më drejt nga interesa të përgjithshme, në këtë rast, kombëtare, e jo nga interesat e ngushta personale, familjare apo klanore. Dhe nëpër tërë "Promemorien" shtrihet një pasqyrë me korniza të arta barokiane, pasqyra e Luigjit të Katërmbëdhjetë. (Fatkeqësisht, njeriu të cilit iu dërgua kjo pasqyre historike, në vend që të trishtohej nga buzëqeshja satanike e Luigjit të Katërmbëdhjetë, ai u magjeps e u mrekullua nga pamunia matanë!) I gjetur si fakt nga historia, dhe i ofruar si fakt i ardhmënisë, fati i Lugjit të Katërmbëdhjetë dhe i Francës së tij, iu transplantua Shqipërisë. Pra, intelektuali ka aftësinë që historinë ta shohë të kuptimsuar, mbarë apo mbrapsht; t`i vëzhgojë nyjat dhe prirjet e shkuara e të tashme dhe kështu t`i paramendojë nyjat dhe prirjet e ardhshme. Ai beson verbërisht se kjo gjë është e mundshme të bëhet por për këtë, mendon ai, vetëm duhet TË MENDOHET SERIOZISHT.
Kjo është aftësia e intelektualit që nga fragmentet, nga pjesët e dukurive ta krijojë pamuninë e tërësisë. Atij nuk i duhet të bëjë mija analiza të lodhshme statistikore, të llogarisë mija të dhëna, të kapë mija shfaqje të dukurive. Atij i mjaftojnë një apo dy fakte, për t`i parashikuar të tëra pasojat e një dukurie apo të një procesi. Atij nuk i duhet deti i tërë për të konkluduar se formula e ujit është H2O, por i mjafton vetëm një pikë ujë. Ai nuk pret shkatërrimin për të thënë se, ja, ky është shkatërrimi, por përkundrazi, ai thotë, i nisur nga një shfaqje e një dukurie, ndoshta krejt të vogël e të pavërejtshme për luzmën e njerëzve të zakonshëm, për të parë se ashtu do të shkohet drejt përmbytjes shoqërore. Dhe, së fundi, ajo që e kurorëzon intelektualin si të tillë, pasi i sheh shkaqet dhe pasojat, pasi e thotë se mendon se "edhe ju duhet të mendoheni", ai me ASNJË KUSHT nuk pranon që t'i nënshtrohet luzmës, mizërisë, grigjës apo stampedos. Asnjë pushtet s`e përkul dot, asnjë forcë, asnjë pasuri, asnjë pozitë shoqërore, asnjë rehati personale nuk ia mbush mendjen se duhet ta tradhtojë, ta lërë menjanë, qoftë edhe për një çast të vetëm, intelektin, arsyen, atë që ai e ka MENDUAR SERIOZISHT! Sepse, të mendosh seriozisht, do të thotë të krijosh parafytyrimin e një ardhmënie vijanoze (paralele): po të bëhet njëra, s`do të bëhet tjetra.


INTELEKTUALI DHE ANTIINTELEKTUALI


Shumë interesant, gjatë gjithë historisë, ka qenë raporti i intelektualit dhe i pushtetit. Pushtetarët asnjëherë s`e kanë kuptuar se pushteti i Të Vëretëtës, është pushteti absolut të cilit i nënshtrohet një intelektual. Kurrë s`e kanë kuptuar se asnjë pozitë e lakmueshme shoqërore, nuk mundet as të krahasohet me ndriçimin e një rrezeje të Të Vërtetës. Gjakimi i intelektualit për Të Vërtetën vetvetiu ia krijon largësinë, atë unazën distancuese saturniane që e ndan atë nga grigja dhe puthadorët, nga mediokritetet dhe antiintelektualët. Dhe shtrohet pyetja se pse pushtetarët kurrë nuk e kanë kuptuar dot intelektualin. Ngaqë, ata, pra pushtetarët, VEPROJNË PRAKTIKISHT, ndërsa intelektuali MENDON SERIOZISHT. Këto dy mënyra të manifestimit të aftësive të tyre kanë bërë që gjatë gjithë historisë intelektuali dhe pushteti të pinrrohen, të takohen e të mos njihen apo të ballafaqohen e të konfrontohen. Kështu mund të paramendohet beteja që s`mund të merret me mend, por e cila ka ngjarë përherë: në njërën anë intelektuali me të menduarit e tij serioz, e në anën tjetër pushteti me hierarkinë e nëpunësve, puthadorëve e të papagaj-apologjetëve dhe me grigjën pas vetes duke vepruar praktikisht. Sa më diktatorial që është bërë një pushtet, aq më pak MENDIME SERIOZE janë shfaqur ose së paku,janë marrë në konsideratë, dhe aq më shumë krrokama apologjetësh janë dëgjuar, aq më shumë kulmak-shkrolës i kanë nxirrë letrat. Pushteti VEPRON PRAKTIKISHT sepse për këtë e shtyt instikti, ndërsa intelektuali MENDON SERIOZISHT sepse për këtë e shtyt arsyeja. Prandaj antiintelektualizmi shfaqet si veprim me instikt, dhe ky instikt ka ndodhë që në fusha të caktuara të vlerësohet, por për Të Vërtetën, për anën intelektuale, edhe kjo mbetet po aq e ulët dhe po aq e papranueshme si veprim. Antiintelektuali si i tillë nuk ka pikëpamje as botëkuptim të vet për botën, pos aftësinë që sot të kapet për njërin e nesër për tjetrin litar ideologjik, ai e kërkon mecenën e tij dhe nëse ky nuk e gjen mecenën, mecena e gjen shumë shpejt antiintelektualin. Sepse nuk ka thënë kot një filozof: "Kush kërkon të kërcejë sipas muzikës së dikujt tjetër shumë shpejt do ta gjejë të zotin".
Ai shkruan, për shembull, kështu:
"Ndryshe nga Fishta, Ernest Koliqi arriti ta shihte me sy dramën e vet si ndjekës i fashistëve. Pas kapitullimit të tyre ai iku bashkë me ta në Itali, ku vazhdoi të shkruajë duke i shtuar veprës së tij një epilog të trishtueshëm (nën. A.M.). Në një nga veprat e tij, dramën "Rrënjët lëvizin", botuar në Romë më 1967, veprimi i së cilës ndodhte në të ardhmen diku në mes të viteve `70, ai parashikonte përmbysjen e rendit komunist në Shqipëri, rihapjen e kishave dhe udhëtimin atje të vajzës së tij si turiste, fill pas vdekjes së të atit dhe pikërisht ditën kur kambanat e kishave, pas heshtjes tepër të gjatë, po gjëmonin përsëri në Shkodër. Nga të dy parashikimet u krye vetëm njëri: vdekja e tij, që ndodhi vërtet në vitet tridhjetë." (I. Kadare, "Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe", 1989). Këta rreshta janë shkruar dy vjet para rënies përfundimtare të rusokomunizmit në Shqipëri (1988). Dikush ishte në gjendje që qysh më 1943, siç ishte rasti i Rexhep Mitrovicës ta shihte çfarë mund të ndodhë po të ndodhë ajo që ndodhi, dikush më 1953 parashihte deri në imtësi të habitshme ardhmëninë e rusokomunizmit, një tjetër, si E. Koliqi, këtë e bënte më 1967, por një i katërt, as dy vjet më parë s`ishte në gjendje të shihte dhe të vetëdijësohej për verbërinë e vet. Pos kësaj, epilogun e dramës së Koliqit të mërguar, e quan "të trishtueshëm". Pse "i trishtueshëm"? Sepse, bija e kolegut të të tij të pendës do të kthehej në Shqipëri si turiste, do të hapeshin kishat dhe "do të përmbysej rendi komunist"! Gati i entuziasmuar nga gëzimi ai thërret: "Nga të dy parashikimet u krye vetëm njëri: vdekja e tij, që ndodhi vërtet në vitet shtatëdhjetë." Merrni me mend, dy parashikimet tjera të zeza nuk ndodhën: të lumit ne! Shpirtngushtësia e një antiintelektuali s`ka fund: gëzohet pse vdiq kolegu i tij, pse s`u përmbys komunizmi, dhe pse s`u hapën dot kishat. Gëzimi i tij s`do të zgjasë më shumë se dy vjet. Fatbardhësisht. Pas këtyre dy vjetëve, në bazë të gëzimit dhe të entuziasmit njeriu nuk do ta mund ta njohë e ta identifikojë dot po këtë shkrimtar. Ai do të fillojë të dëshmojë si ata që P.P.Peci i kishte takuar në oborrin e gjyqit dhe i kishte pyetur:
- Çfarë po bëni këtu,o njerëz?
- Po dëshmojmë.
- Kujt?
- Kujt i duhet.
Edhe kësaj here u dëshmua se instikti i një shkrimtari nuk mund t`i qëndrojë dot të menduarit serioz të një intelektuali.

FJALA FATALE "MEGJITHATË..."


Është fakt që intelektuali rrallë reagon për shkak se i bëhen padrejtësi personalisht atij, ndërsa antiintelektuali e djeg jorganin për një plesht që e ka shqetësuar atë. Intelektuali flet kur e sheh se puna po bëhet rungajë dhe po e rrezikon tërë atë mizëri që e rrethon dhe e shikon pak me habi pak me përçmim. Intelektuali nuk e njeh hakmarrjen sepse ai shikon vetëm përpara, antiintelektuali jo vetëm që u hakmerret njerëzve konkretë, miqve e kolegëve të tij të deridjeshëm, por ai u hakmerret edhe figurave historike duke ua imagjinuar fajin, njerëzve të vdekun të cilët s'mund ta kundërshtojnë më as t'ia çjerrin maskën e dhelpnakut. Fjala vjen, për Kadarenë fajtor është Koliqi "reaksionar" i cili kishte "epilog të trishtueshëm", "përmbysjen e rendit komunist" dhe "hapjen e kishave", por dy vjet më vonë fajtor për të gjitha që kanë ndodhur në Shqipëri po edhe për vetë instalimin e "diktaturës komuniste" fajtor është Marx-i, i cili s`e njihte "mëshirën", të cilën krishterizmi e paskësh parim kryesor ("Nga njëri dhjetor në tjetrin", 1990). Asnjë mendje e shëndoshë nuk mund t`i ndjekë përmbysjet e tilla mendore.
Prandaj Kasëm Trebeshina reagon kur "...nuk është fjala për një ose dy shkrimtarë, për mua ose për ndonjë tjetër" por kur pa e kuptuar "po ndërtoni një letërsi mesjetare" me Mjeshtrin e Madh në krye. "Arti," vazhdon ai "duke qenë i një natyre specifike, nuk mund të përfshihet në format organizative të partisë". Ja, intelektuali K. Trebeshina, pa marrë leje nga askush, as nga vetë Arti, pa u konsultuar me askë, vihet në mbrojtje të artit dhe të artistëve të rrezikuar duke mos i llogaritur pasojat për veten e tij. Intelektuali është i paparashikueshëm në veprime. Kur cenohet E Vërteta, ai shkridhet nga letrat dhe heshtja që e kanë mbuluar deri në atë kohë dhe i gjuan rrufetë e tij mendimore.
Ai që në shekullin e njëzetë krijon një letërsi mesjetare, ai që partinë e shndërron në kazermë ushtarake, rrezikon që në të ardhmen këta në kazermë ta asgjësojnë njëri-tjetrin, e parthakon pamuninë e tij Trebeshina. Po qortohej dhe po shkruhej ardhmënia. Ditët që do të vijnë të gjitha këto do t`i sjellin me vete si lumi i rrëmbyer.
"MEGJITHATË, "thotë K. Trebeshina kah fundi i "Promemorjes së tij, një "megjithatë" fatale për shqiptarët e pesë dekadave të ardhshme, një fjalë e vetme që rrallë herë mund të ketë pasur një peshë kaq të rëndë e kaq të kobshme "UNË MENDOJ SE SHKATËRRIMI MË I MADH DO TË NDODHË NË BOTËN SHPIRTËRORE SHQIPTARE". Trebeshina ka frikë edhe për më keq se kaq: "DHE KY NUK DO TË JETË VEÇSE FILLIMI". Kjo është një nga të Vërtetat më të mëdha e më të dhembshme që i janë shqiptuar ndonjëherë historisë shqiptare. Edhe kur kanë dalë nga robëria romake, edhe kur i kanë thyer prangat e robërisë bizantine, edhe më 1912-tën pas çlirimit nga robëria pesëshekullore osmane, as më 1945-tën, shqiptarët nuk kanë qenë më të shkatërruar shpirtërisht. Sepse lufta me vetveten, vërtet, është më shkatërrimtarja. Shqiptarët vërtet arritën në një "monarki pa kuptim në realitetin historik të shekullit të njëzetë".
Dhe në fund, foljen "mendoj" të cilën e përdor kaq shpesh, për t`ia bërë me dije edhe atij që ia dërgon "Promemorien" se duhet të mendojë, e përdor për herë të fundit: "Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangim një të keqe kaq të madhe dhe kjo është arsyeja që po ua drejtoj këtë "Promemorie" të shkruar në mënyrë të ngutshme".
Kasëm Trebeshina kot u ngut ta shkruante e ta niste "Promemorien". Duke u frikësuar se mos vallë do të ndodhnin ato që i parashikonte se do të ndodhnin; e ato ndodhën çuditërisht edhe në rendin të cilin i kishte radhitur në letër, ndoshta pa qenë i sigurtë qind për qind as vetë se e kishte shkruar fatin e ardhshëm pesëdhjetëvjeçar të shqiptarëve. Fatshkruesit dhe fatthënësit e tillë vërtet e meritojnë të quhen intelektualë, por në kohën kur e shkroi Trebeshina i vetmi shpërblim për këtë ishte - burgu. Por ndodhi një gjë e çuditshme, Kasëm Trebeshina u fut në burgun fizik por gjeti lirinë e tij shpirtërore, të cilën kurrë askush, asnjë perëndi as asnjë pushtet s`kishte mundur t`ia merrte dot ndonjë intelektuali, ndërsa i la në burgun e madh shpirtror, pse jo edhe fizik, kundërshtarët e tij: antiintelektualët, puthadorët dhe papagaj-apologjetët e shikonin Trebeshinën prapa grilave të dukshme ku e kishin futur atë, nga grilat e padukshme ku e kishin futur veten.

Agim MORINA,
Rilindja’, Tiranë, 1996